Haxhiu nuk është e vetmja “presidente” e VV-së, Konjufca e kishte mbajtur postin dy herë më parë

Albulena Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, të shtunën, pasi këtë pozitë, e “trashëgoi” nga ish presidentja, Vjosa Osmani, në një ceremoni shtetërore. Kryetarja e Kuvendit e merr me automatizëm kushtetues këtë post, meqë politika nuk arriti ta gjejë një kryetar të ri, të zgjedhur nga parlamenti, që do…

Lajme

06/04/2026 20:25

Albulena Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, të shtunën, pasi këtë pozitë, e “trashëgoi” nga ish presidentja, Vjosa Osmani, në një ceremoni shtetërore.

Kryetarja e Kuvendit e merr me automatizëm kushtetues këtë post, meqë politika nuk arriti ta gjejë një kryetar të ri, të zgjedhur nga parlamenti, që do ta trashëgonte menjëherë ish shefen e shtetit.

Si ushtruese e detyrës, Haxhiu do të jetë “presidente”, derisa deputetët ta gjejnë dikë që do të jetë “fuqiplotë” me këtë mandat. Për këtë ka afat deri para fundit të prillit, më së voni.

Haxhiu bëhet zyrtarja e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje që mban këtë funksion të lartë shtetëror, përkohësisht, raporton KosovaPress.

Për periudha të shkurta, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës ishte edhe Glauk Konjufca. Në dy raste ai mbajti këtë pozitë, duke qenë kryetar i Kuvendit, si pasojë e rrethanave institucionale dhe delegimit të kompetencave

Herën e parë ai e mori këtë përgjegjësi më 22 mars 2021, kur u zgjodh kryetar i Kuvendit, duke e zëvendësuar kështu Vjosa Osmanin si ushtruese detyre e presidentes, e cila kishte ardhur në këtë pozitë, si ish kryetare parlamenti, për shkak të dorëheqjes së mëhershme të Hashim Thaçit, në nëntor 2020. Konjufca performoi rolin e ushtruesit të detyrës së kryetarit deri më 4 prill 2021, kur në këtë pozitë u zgjodh kryetare me mandat të plotë Vjosa Osmani.

Këtë funksion ai e pati sërish, për pak kohë, edhe në nëntor të vitit 2022, kur iu deleguan kompetencat për shkak të një ndërhyrjeje shëndetësore që bëri presidentja në detyrë.

“Pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca” thuhet në një njoftim që kishte bërë presidenca, më 22 nëntor 2022. “Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike”.

Në fakt, partia që ka për kryetar Albin Kurtin nuk e ka mbajtur kurrë pozitën e parë në Republikë, me mandate të plotë pesëvjeçar.

Ajo tentoi ta marrë atë, muajin e kaluar, kur propozoi Konjufcën për president, por procedurat për votimin e tij u ndalën për shkak të mossigurimit të mbështetjes së mjaftueshme qysh në raundin e parë, kur i duheshin 80 vota.

Vjosa Osmani ishte bërë presidente më 2021, si pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, por duke qenë në listën Guxo. Deri në themelimin e kësaj nisme, ajo ishte pjesë e LDK-së

Lidhja Demokratike i ka dhënë dy presidentë Kosovës në historinë e pasluftës – Ibrahim Rugovën nga vit 2002 deri më 2006 dhe Fatmir Sejdiun, nga 2006 deri më 2010. PDK e ka mbajtur këtë post me Hashim Thaçin, nga 2016 deri më 2020, kur ky dha dorëheqje për shkak të aktakuzës nga Prokuroria Speciale. Në një periudhë të shkurtë, edhe Jakup Krasniqi e pati mbajtur këtë post, si ushtrues detyre, me rastin e rrëzimit kushtetues të Fatmir Sejdiut nga pozita e presidentit. Po ashtu, shtatë ditë e kreu këtë funksion edhe ku u shkarkua Behgjet Pacolli i Aleancës Kosova e Re, i cili qëndroi si kryetar shteti 5 javë, nga 22 shkurti deri më 30 mars 2011.

E vetmja presidenti jopartiake e Kosovës ishte Atifete Jahjaga, ani se u zgjodh me mbështetje të PDK dhe LDK, pas rrëzimit të Behgjet Pacollit. Ajo u bë edhe e para liderë e shtetit që mbajti të plotë një mandat 5 vjeçar si kryetare e Republikës. /KosovaPress/