Haxhiu krejt kundër asaj qe deklaronte kur kandidohej për kryekuvendare: Deputetët nuk mund të detyrohen ta votojnë dikë të caktuar në Kuvend
Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, që u rrëzua më shumë se 50 herë e nuk dorëzohej, si dhe kundërshtonte logjikën, se “deputeti nuk mund të obligohet ta votoj dikë të caktuar”, tashmë në Kanal 10, ka argumentuar krejt të kundërtën e qëndrimeve që mbante. “Kryetari i Kuvendit ka pasë një propozim nga Lista Serbe, dhe…

Lajme
Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, që u rrëzua më shumë se 50 herë e nuk dorëzohej, si dhe kundërshtonte logjikën, se “deputeti nuk mund të obligohet ta votoj dikë të caktuar”, tashmë në Kanal 10, ka argumentuar krejt të kundërtën e qëndrimeve që mbante.
“Kryetari i Kuvendit ka pasë një propozim nga Lista Serbe, dhe Kryetari i Kuvendit me të drejt e ka dërguar në votim, tri herë. Gjykata në Aktgjykimin e fundit ka thënë mundësh tri herë, Slavko Simiq nuk i ka marrë votat, për tri herë. Cila Gjykatë Kushtetuese mund të thotë se Albulena Haxhiu duhet ta votoj një deputet të caktuar”. – tha Haxhiu.
Nënkryetarja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, këtë deklaratë e ka dhënë pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka votuar pro për asnjë nga kandidatët serb për nënkryetar të Kuvendit, duke i “djegur” të gjithë ata.
Një deklaratë të tillë, Haxhiu nuk e jepte kur vetë kandidohej për kryetare të Kuvendit, mbi 50 herë, ndërsa thoshte se mosvotimi i deputetëve të opozitës për komisionin për votim të fshehtë është jokushtetues, e në fakt, sipas Gjykatës Kushtetuese, jokushtetuese doli të jetë tentimi i Avni Deharit për më shumë se dhjetë seanca për të formuar komisionin për votim të fshehtë.
Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, ndërkaq këtë pozitë e mori deputeti i VV-së, Dimal Basha.
Ajo u zgjodh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, përmes votimit në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, ku u zgjodhën Albulena Haxhiu nga VV, Vlora Çitaku nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.
Nënkryetare nga minoretet joserbe është zgjedhur Emilja Rexhepi, ndërkaq nënkryetari i pestë mbetet ende pa u zgjedhur, por pavarësisht kësaj, kreu i Kuvendit Dimal Basha e ka parë si të konstituuar Kuvendin e Kosovës, pasi sipas tij ka kuorum.
Ai ka thirrur sot një mbledhje të kryesisë, por që aty kanë marrë pjesë vetëm Basha, Haxhiu dhe Rexhepi. /Lajmi.net/