Haxhiu: EULEX e UNMIK-u nuk kanë adresuar si duhet krimet e luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar UNMIK-u dhe EULEX-in se nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës, duke thënë se një gjë e tillë e paraqet tendencë për balancimin e krimeve nga Serbia në Kosovë. Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ministrja…

Lajme

17/10/2024 14:42

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar UNMIK-u dhe EULEX-in se nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës, duke thënë se një gjë e tillë e paraqet tendencë për balancimin e krimeve nga Serbia në Kosovë.

Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ministrja Haxhiu ka thënë se atë që nuk e kanë bërë institucionet shtetërore e kanë bërë organizatat e shoqërisë civile.

Prokurori special Ilir Morina theksoi se Prokuroria Speciale ka hasur në disa sfida gjatë trajtimit të krimeve të luftës, duke përfshirë kornizën ligjore dhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar.  Ai tha se deri në vitin 2023, janë regjistruar rreth 80 raste të dhunës seksuale si krime lufte.

Ish- prokurorja speciale e Kosovës që ngriti për herë të parë aktakuzë për dhunë seksuale Drita Hajdari ka kujtuar viktimën e parë të dhunës seksuale, që trokiti në dyert e saj për të kërkuar ndihmë e drejtësi.

Gjithashtu, themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së Feride Rushiti ka theksuar se në periudhën e pasluftës ka munguar aspekti psiko-social i trajtimit, periudhë në të cilën UNMIK dhe EULEX edhe pse kanë pasur me dhjetëra dëshmi të dëshmuara kanë përfunduar pa asnjë rezultat.