Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria me diku 174 projektligje, por nuk po mund t’i trajtojmë ato
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ka folur në lidhje me bllokadën që është krijuar përsëri në Kuvend, pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur për masë pezulluese deri më 31 mars. Ajo ka thënë se pavarësisht që kanë pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, nuk po mund t’i trajtojnë për shkak të vendimin për masën e përkohshme. “Por…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, ka folur në lidhje me bllokadën që është krijuar përsëri në Kuvend, pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur për masë pezulluese deri më 31 mars.
Ajo ka thënë se pavarësisht që kanë pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, nuk po mund t’i trajtojnë për shkak të vendimin për masën e përkohshme.
“Por e kemi agjendën legjislative që përmban diku 174 projektligje. Qeveria është ambicioze, dhe ligjet janë shumë të rëndësishme. Por ajo çka është e rëndësishme është që kur ato procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të vijë në shprehje pastaj roli i komisioneve parlamentare. Sepse, më besoni edhe për shkak të përvojës praktike, puna më e madhe bëhet në komisionet parlamentare. Diskutimet në seancë janë diçka tjetër, por ajo që nuk shihet pra, ajo që është shumë përmbajtësore, është puna në komisionet parlamentare”, tha ajo.
Ajo ka thënë se si kryetare e Kuvendit do të angazhohet maksimalisht që trajtimet e projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
“Edhe duke e pasur parasysh edhe aspektin gjinor, sepse nuk kemi nevojë që të bëjmë ligje të cilat nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por që shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, duhet që në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme, që mund të kenë direkt apo indirekt përgjegjësi në raport me një ligj. Por po ashtu edhe secili grup që, si me thënë, i dedikohet një rregullim ligjor i tillë. Prandaj jam shumë e hapur që të fuqizoj rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deri tani nuk shoh që kemi pasur mungesë të vullnetit në këtë drejtim”, tha ajo. /Lajmi.net/