Haxhiu do ta thërrasë seancën konstituive brenda afatit kushtetues, Presidenca shpjegon pse ende nuk është caktuar data?
U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, ka bërë të ditur Presidenca në një përgjigje për Lajmi.net. Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Lajmi.net e pyeti Presidencën se kur pritet të thirret seanca konstituive dhe cilat janë arsyet që ajo ende…
Lajme
U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, ka bërë të ditur Presidenca në një përgjigje për Lajmi.net.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Lajmi.net e pyeti Presidencën se kur pritet të thirret seanca konstituive dhe cilat janë arsyet që ajo ende nuk është caktuar.
Në përgjigjen e saj, këshilltarja për media dhe marrëdhënie me publikun e U.D. Presidentes, Vlora Konushevci tregoi arsyet.
“U.D. Presidentja Haxhiu do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/ja brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht. Duke pasur parasysh se afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e Presidentit. U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, me synimin që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër.”, tha ajo.
Sipas Presidencës, Kushtetuta e obligon Presidentin që ta thërrasë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve, afat i cili, në këtë rast, përfundon më 7 gusht.
Në arsyetimin e saj, Presidenca thekson se moscaktimi i menjëhershëm i datës synon t’u japë partive politike kohën e nevojshme për zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje politike, me qëllim që konstituimi i Kuvendit të pasohet nga krijimi i institucioneve dhe të shmanget një bllokadë e re institucionale.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje fituese të procesit zgjedhor me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 19.44 për qind ose 22 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 16.69 për qind dhe 18 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi 6.74 për qind të votave dhe 7 deputetë, ndërsa subjektet e komuniteteve joshumicë fituan ulëset e garantuara me Kushtetutë, përfshirë 9 mandate për Listën Serbe dhe 1 mandat për partinë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, si dhe 10 mandate të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.
Edhe pse Vetëvendosje ka numrat për të udhëhequr formimin e Qeverisë me mbështetjen e deputetëve të nevojshëm, ajo nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, proces që kërkon një shumicë më të gjerë parlamentare. Pikërisht për këtë arsye, Presidenca vlerëson se partive politike duhet t’u lihet kohë për negociata, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit të pasohet nga krijimi i institucioneve dhe të shmanget një bllokadë e re politike./lajmi.net/