Haxhiu: Bashkimi i shqiptarëve të Luginës vendim i pjekur politik, më 25 tetor vota do të ketë peshë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka shkruar në lidhje me arritjen e marrëveshjes për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Ajo ka thënë se tetë subjekte politike të Luginës, me qëndrime dhe histori të ndryshme, janë bashkuar rreth të njëjtit zotim. “Ky është një…

Lajme

01/10/2026 12:39

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka shkruar në lidhje me arritjen e marrëveshjes për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Ajo ka thënë se tetë subjekte politike të Luginës, me qëndrime dhe histori të ndryshme, janë bashkuar rreth të njëjtit zotim.

“Ky është një vendim i pjekur politik, që e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi çdo llogari partiake. I përgëzoj kryetarët e tyre që e bënë të mundur këtë marrëveshje. Pesha e këtij bashkimi kuptohet më mirë kur kemi parasysh diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Këtu përfshihen pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi në institucionet publike. Po ashtu, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve, si dhe përjashtimi ekonomik”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se këto shkelje bien edhe më shumë në sy përballë garancive kushtetuese që gëzon komuniteti serb në Kosovë.

“Ai ka 10 ulëse të rezervuara në Kuvend, një nënkryetar të Kuvendit dhe së paku një ministër në Qeveri. Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, nuk kanë ulëse të garantuara në parlament dhe përfaqësimi i tyre varet vetëm nga vota. Pasivizimi i adresave ua vështirëson edhe ushtrimin e së drejtës së votës. Serbia kërkon vazhdimisht të drejta shtesë për serbët në Kosovë, ndërkohë që shqiptarëve brenda kufijve të saj u mohon të drejtat themelore. Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe do të shtojnë mbështetjen institucionale për ta.

“Më 25 tetor, vota e secilit shqiptar të Luginës do të ketë peshë. Kandidatëve të listës së përbashkët u uroj suksese”, ka shtuar Haxhiu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: