Hashim Thaçi uron Ismail Kadarenë

Kryeministri Thaçi duke ia uruar ditëlindjen shkrimtarit Ismail Kadare ka thënë se ai ka dhënë një kontribut të madh në promovimin e kulturës shqiptare. Ai tha se do t’i jetë gjithmonë borxhli Kadaresë, për mbështetjen e dhënë gjatë bisedimeve në Rambuje.

Lajme

28/01/2014 14:37

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duket se është shumë i kujdesshëm për datat e rëndësishme. Sot ai nuk e ka harruar as ditëlindjen e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Kryeministri Thaçi duke ia uruar ditëlindjen Kadaresë, e ka quajtur atë kolos të letërsisë shqiptare, i cili ka luajtur rol kyç në promovimin e kulturës shqiptare në mbarë botën.

“Sot ka ditëlindjen Kadareja, shkrimtari më i madh yni dhe është një gëzim i veçantë që ta uroj këtë kolos të letërsisë shqiptare”.

“Gjeniu i letërsisë sonë bashkëkohore ka luajtur një rol kyç në formimin estetik dhe stilistik të mbarë kombit, në lëvrimin dhe sofistikimin e gjuhës shqipe dhe në promovimin e kulturës shqiptare në mbarë botën”.

Libri i fundit nëpër duart e Kryeministrit Hashim Thaçi është vepra e Kadaresë “Bisedë me brilantet në pasditen e dhjetorit”. Thaçi thotë të jetë i mrekulluar me punën e gjeniut të letrave shqipe, për të drejtuar kombin shqiptar drejt vlerave universale të lirisë dhe demokracisë.

 

“Sapo nisa të lexoj me kënaqësi librin e tij më të fundit “Bisedë me brilantet në pasditen e dhjetorit”. Më duhet të them që magjepsem jo vetëm me margaritarët që ai vazhdon të shkruaj por edhe me punën e palodhur që ai bën për ta orientuar kombin shqiptar drejt botës perëndimore dhe drejt vlerave universale të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut”.

E pse ne duhet të jemi krenar dhe mirënjohës Ismail Kadaresë?

Thaçi përmend suksesin e veprës së tij në rrafshin global, së dyti përmend angazhimin e Kadaresë për të nxjerr shqiptarët nga e kaluara e errët e komunizmit. Dhe së fundmi, roli dhe kontributi i Kadaresë në qarqet ndërkombëtare, në mbështetje të Kosovës, për kauzën e saj për liri.

“Ne të gjithë krenohemi me të dhe i jemi trefish mirënjohës Kadaresë”.

“Së pari sepse me suksesin që ka korrur me veprat e tij ka ngritur lartë imazhin e kombit tonë dhe ka dëshmuar që ne jemi komb vital, me vlera dhe virtyte të lakmueshme”.

“Së dyti sepse është një ndër figurat kryesore publike shqiptare që më së shumti e ka denoncuar totalitarizmin komunist të Shqipërisë dhe ka kontribuar që populli të vetëdijesohej dhe distancohej nga ajo e kaluar e errët”.

“Së fundmi roli i tij në mediat dhe qarqet e ndryshme politike e diplomatike ndërkombëtare për ngritjen e çështjes së Kosovës dhe për sigurimin e mbështetjes për kauzën e lirisë është i pakrahasueshëm”.

“Unë i jam përjetë borxhli për mbështetjen e tij të çmuar në ditët e vështira të negociatave të Rambujesë”.

“Prandaj në emrin tim dhe të gjithë bashkëqytetarëve i them: Gëzuar ditëlindjen Kadare dhe paç jetë të gjatë”, shkruan në profilin e tij në Facebook, Kryeministri Hashim Thaçi.