Hashim Thaçi ka dëshmuar më shumë trimëri duke themeluar Gjykatën Speciale se sa duke udhëhequr UÇK-në

SHKRUAN: MERO BAZE Ka një betejë të ligë ndaj protestave pro liderëve të UÇK-së në Hagë, e ushqyer si nga Albin Kurti në Kosovë, ashtu edhe nga Sali Berisha në Tiranë, të cilët akuzojnë Edi Ramën dhe Hashim Thaçin se kanë themeluar vetë Gjykatën Speciale. Madje Albin Kurti ka ndërtuar edhe një serial në stilin…

Opinion

18/10/2025 20:24

SHKRUAN: MERO BAZE

Ka një betejë të ligë ndaj protestave pro liderëve të UÇK-së në Hagë, e ushqyer si nga Albin Kurti në Kosovë, ashtu edhe nga Sali Berisha në Tiranë, të cilët akuzojnë Edi Ramën dhe Hashim Thaçin se kanë themeluar vetë Gjykatën Speciale.

Madje Albin Kurti ka ndërtuar edhe një serial në stilin “Netflix”, duke treguar skena me helikopter të Edi Ramës në Prishtinë, që sipas tij urdhëronte deputetët të votonin Gjykatën Speciale.

E gjithë kjo është përdorur si një justifikim banal për të mos mbështetur betejën e tyre për drejtësi.

Beteja për drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së nuk bëhet vetëm me protesta, megjithëse edhe ato kanë vlerën e tyre. Çdokush mund ta bëjë këtë në mënyrën e vet. Edi Rama e ka shprehur mbështetjen e tij duke shkuar personalisht t’i takojë në Hagë, ka bërë përpjekje për të krijuar solidaritet financiar për grupin e avokatëve të tyre, ka bërë deklarata politike në Strasburg në mbështetje të tyre, e të tjera.

Albin Kurti i ka pasur të gjitha këto mundësi, por të paktën një mundësi njerëzore do ta kishte pasur: të mos dëmtonte procesin e tyre në Hagë në mënyrë bizare, duke çuar raporte nga Ministria e Drejtësisë për “rrezikun e lirimit të tyre” nga burgu, ndërkohë që nuk ka kontribuar financiarisht për përballimin e gjyqit, natyrisht shumë të shtrenjtë.

Sa i përket justifikimit banal se Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë themeluar Gjykatën Speciale dhe Albin Kurti nuk e ka votuar atë, kjo tregon se në krye të shtetit të Kosovës ndodhet një populist që mendon se refuzimi i drejtësisë është meritë politike.

Hashim Thaçi ka treguar trimëri duke pranuar Gjykatën Speciale.

Nuk di nëse Edi Rama ka shkuar me helikopter, avion apo veturë në Prishtinë për këtë punë, por si Kryeministër i Shqipërisë, ai kishte detyrë ta mbështeste krijimin e Gjykatës Speciale, e cila kishte për qëllim, sipas aleatëve perëndimorë të Kosovës, të hiqte njëherë e mirë njollën e trafikimit të organeve, të shpikur nga Dick Marty për llogari të Serbisë.

Ndërtimi i asaj gjykate ishte një domosdoshmëri që Kosova të kalonte testin e një shteti serioz dhe të mos mbetej një projekt i papërfunduar populistësh dhe luftëtarësh.

Madje unë mendoj se Hashim Thaçi ka treguar më shumë trimëri duke pranuar dhe mbështetur ndërtimin e Gjykatës Speciale, sesa duke qenë një nga udhëheqësit politikë më të rëndësishëm të UÇK-së.

Fakti që vetë ai dhe shokët e tij janë tashmë viktima të një procesi të gjatë, të padrejtë dhe të ngarkuar me dëshmi të rreme serbe, nuk e turpëron atë — përkundrazi, e nderon më shumë, duke i dhënë mundësinë të bëjë sakrificën e dytë për Kosovën në jetën e tij.

Albin Kurti, që i iku betejës së pare, asaj për liri në Kosovë , tani mburret se i ka ikur edhe betejës së dytë: asaj për drejtësi ndërkombëtare. Kjo e bën atë dy herë dezertor të Kosovës, por jo dy here fitimitarë.

Gjykata ende nuk ka përfunduar, dhe ne nuk e dimë çfarë vendimi do të marrë ajo për luftëtarët e Kosovës.

Dimë vetëm se hetimi ka qenë një proces i përciptë, i manipuluar dhe ndoshta edhe i sponsorizuar nga qarqe serbe. Ai ka qenë një proces poshtërues për shqiptarët — por në fund të fundit, është proces hetimor.

Gjykata është ajo që vendos. Dhe ajo ende nuk ka folur.

Nuk mund ta paragjykojmë.

Kur gjyqi të mbarojë në pranverën që vjen, ne do të jemi në gjendje të kuptojmë më qartë nëse udhëheqësit e UÇK-së e nderuan apo e turpëruan Kosovën në këtë proces.

Në të gjitha rastet, pavarësisht vendimit, ata i kanë bërë Kosovës një shërbim — qoftë si viktima të mundshme të këtij gjyqi, qoftë si fitimtarë të tij.

Ata i kanë shërbyer Kosovës duke e pranuar këtë sfidë dhe duke e përballuar atë me dinjitet.

Ndërsa ata që ngazëllehen që i ikën kësaj beteje dhe që përgjonin dikë për çfarë kishte bërë dhjetë vjet më pare, janë thjesht ata që kanë dështuar të hyjnë në historinë e Kosovës dhe po përpiqen të mbahen në kujtesë vetëm për faktin që kanë arritur të marrin pushtet në Kosovë.

Kosova në pushtet ka pasur edhe Rahman Morina, por ai nuk i ka shërbyer kurrë Kosovës.