Hasani për artikullin e Bashës: Mund të jetë pjesë e dëshmisë në Hagë, nuk e pranojmë kërkim-faljen

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se nuk e pranojnë kërkim-faljen e kryetarit të kuvendit, Dimal Basha, për artikullin ku ai është bashkautor me Jana Arsovkën, e në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës portretizohej si organizatë e banditëve dhe kriminelëve shqiptarë. Hasani tha se kërkim-falja e Bashës nuke justifikon veprimin e tij, veprim…

Lajme

03/09/2025 19:26

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se nuk e pranojnë kërkim-faljen e kryetarit të kuvendit, Dimal Basha, për artikullin ku ai është bashkautor me Jana Arsovkën, e në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës portretizohej si organizatë e banditëve dhe kriminelëve shqiptarë.

Hasani tha se kërkim-falja e Bashës nuke justifikon veprimin e tij, veprim i cili tha se është shumë i rëndë dhe i dëmshëm për luftën për çlirim.

“Nuk e pranojmë kërkim-faljen e Bashës. Në politikën tonë nuk ka kurrfarë morali. Basha është kryetar kuvendi, kërkim-falja nuk e justifikon veprimin e tij, është veprim shumë i rëndë dhe shumë i dëmshëm për luftën tonë”.

“Veprime të tilla, emri i tij dhe libra me emër mund të jetë pjesë e dëshmisë në Hagë. Mund të thuhet se në librin e Arsovës dhe Bashës ceken këto gjëra, je bashkautor”, tha Hasani në Klan Kosova.

Tutje, ai i komentoi edhe krahasimet e bashkëkryetarit të Guxo, Faton Pecit, i cili tha se vetëm PDK-ja dhe Lista Serbe s’e votuan Donika Gërvallën për kryetare kuvendi.

“Nuk bëhen këto krahasime. Ai ka dashur ta ngjallë një emocion, duke e parë gjendjen e rëndë shpirtërore të veten që e kanë, e kanë pasur si VV dhe si Guxo. Për këtë kanë luajtur me ndjenja të grupeve të tjera parlamentare për t’i parë qëndrimet se ku jemi ne”.

“Por, Donika s’e ka merituar, ia njohim biografinë. Për babën e Donikës, ia heqim kapelën. Ka qenë një ideolog, udhëheqës, drejtues, politikan, një njeri që është vrarë për atdheun. Por, në anën tjetër, Donika për veprimet e saj që i ka bërë, është e papërgjegjshme për pozicionin që është kërkuar. Kjo ka qenë”.

“Ata që duan t’i bëjnë këto krahasime, e tregojnë dobësinë e vet shpirtërore, politike dhe morale. Faton Peci tregon se është i papërgatitur, moralisht i dobët, politikisht i dobët dhe s’ka kredibilitet pasi këtë paralele s’mund ta bëjë askush”, tha Hasani.