“Hasan Dakaj u maltretua në burgun e Serbisë” – Familja dhuroi dorëzani 25 mijë euro
Pas një viti, erdhi në shtëpinë e tij. I emocionuar përqafoi shokët e familjarët. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj i cili u arrestua më 5 janar të vitit 2024 nga autoritetet serbe, për një vit qëndroi në burgun e Serbisë nën pretendimet kinse për kryerje të krimeve gjatë luftës kundër popullsisë serbe. Po…
Lajme
Pas një viti, erdhi në shtëpinë e tij. I emocionuar përqafoi shokët e familjarët.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj i cili u arrestua më 5 janar të vitit 2024 nga autoritetet serbe, për një vit qëndroi në burgun e Serbisë nën pretendimet kinse për kryerje të krimeve gjatë luftës kundër popullsisë serbe.
Po atë ditë, Hasan Dakaj ishte me të vëllain Xhevdet Daka duke udhëtuar për në Itali.
Dakaj nuk ishte i gatshëm të flasë të shtunën para kamerës së tëvë1, mirëpo vëllau i tij, Gëzim Dakaj tregoi se si ai ishte maltretuar në fillimet e arrestimit.
“Nuk ka qenë gjendja e tij e mirë, se ka pas sidomos ato ditë e para, kur ka biseduar me bashkëshorten e tij, i ka thënë gjithçka janë duke bërë në trup timin, por pastaj kur ka shkuar në vizitë dal ngadalë kanë intervenuar QUINT-i, OSBE-ja, Kryqi i Kuq ndërkombëtar pastaj nuk ka pas më maltretime”, tha Gëzim Dakaj për tëvë1.
Dakaj thotë se vëllai i tij është ende në gjendje jo të mirë emocionale.
Sipas tij, lirimi i Hasanit u bë pasi që familja siguroi vlerën e kërkuar nga autoritetet serbe rreth 25 mijë euro dorëzani.
Ai tha se me lirimin Hasanit, durimit i erdhi fundi.
“Ende nuk dimë kurgjo, për momentin ende nuk kemi bisedua me vëllain çdo sen na tregon sa ta merr veten pak, se është shumë i lodhur, i rraskapitur ka emocione. Ne e kemi prit me shumë qef, i ka mungu familjes, shokëve, durimit i erdhi fundi. Tash doli në liri jemi shumë të kënaqur, i falënderojmë bashkëvendësit tanë për kontributin, mediet, bashkëfshatarët na kanë ndihmuar shumë. Erdhi dita që i dorëzuam atje paret dhe na lëshuan vëllai nga atje, diku 25 mijë euro”, tregoi ai.
Gjatë periudhës së burgut, Dakaj tregon se komunikimi me të vëllain ishte i vështirë.
“Me autoritet serbe nuk kemi pas asnjë komunikim vetëm me avokatin mbrojtës që e ka dhënë shteti serb, dmth na ka lajmërua ai, ka biseduar me bashkëshorten e vet ka biseduar Hasani aq, për momentin nuk kemi pas informacione të tjera veç se m’kanë dërgua për në Beograd i ka treguar bashkëshortes”, tha Dakaj.
Ai ka edhe një lutje për të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ju lutna, rasti i fundit ishalla është i vëllait tim që arrestohet, ata që e ndijnë veten që janë diçka, mos të udhëtojnë nëpër Serbi, sepse nga shkau gjithçka pritet”, tha ai.
Serbia tash e disa kohë ka përpiluar një listë me emra të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po i ndalon në rast se ata kalojnë nëpër territorin e Serbisë.