Haradinaj takon pensionistët
Kryetari i AAK'së, Ramush Haradinaj, u ka thënë pensionistëve se do t`i përkrahë për të gjitha kërkesat legjitime të tyre duke u dhënë mbështetje edhe në Parlamentin e Kosovës.
Lajme
Kryetari i AAK`së Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për çështjen e ligjit të pensioneve, pagës ekzistuese dhe kontributet e tyre pensionale të mëhershme.
Pas takimit në një konferencë për media, Haradinaj ka thëne se do t`i jap mbështetje të gjitha kërkesave legjitime të pensionistëve duke i përkrahur edhe në parlament.
“Ne biseduam për tri tema që i preokupojnë lidhjen e pensionistëve, por që na preokupojnë të gjithë neve në Kosovë. Është ligji për pensionet është rritja e pagës ekzistuese që marrin pensionistët nga 112 euro në përputhje me rritjet që ndodhin në sektorin publik.
“E fundit është çështja e të drejtave të kontributeve pensionale të mëhershme që të shtrohet si temë në bisedime me fqinjin tonë, duke e ditur se një pjesë e madhe e këtyre kontributeve janë tjetërsuar në ndërrimet që kanë ndodhur në Kosovë”.
“Qeveria e sotme, Institucionet e sotme të Kosovës, Parlamenti duhet të kenë guxim t`i marrin këto obligime. Unë ju kam premtuar se kolegët tanë në parlament, do t`i japin përkrahje ligjit po ashtu edhe kërkesave tjera legjitime”.
Ndërsa Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi ka njoftuar Haradinajn me pozitën e vështirë të tyre. Thotë se ka marrë mbështetjen e tyre që çështja e pensionistëve të zgjidhet me ligj.
“Ne i përmendëm ato që tha kryetari edhe miratimin e ligjit edhe rritjen e pensioneve por edhe shtruarjen në agjendë të kësaj pozite të vështirë të pensionistëve që pensionet nga Serbia të kthehen në dialog me Kosovën”.
“Patëm rastin ta njoftojmë kryetarin e AAK` për pozitën e vështirë të pensionistëve të të gjitha kategorive në veçanti për pensionistët kontribut pagues, të cilëve edhe sot e kësaj dite pas 14 vitesh nuk i është kthyer statute dhe kanë një pozitë të rëndë materiale që nuk realizohen të drejtat e tyre”.
“Hasëm në mirëkuptim që do të kemi mbështetjen edhe të z. Kryetar por edhe të Grupit Parlamentar dhe të gjitha shtresave që kjo çështje e pensioneve veçmas e pensionistëve kontribut pagues të zgjidhet me ligj njëherë e përgjithmonë. Kemi shpresë që kërkesat tona do të realizohen”, tha Kajtazi.