Haradinaj: Shqiptarët janë unik si kurrë më parë, të bashkuar s’ka tërmet që na ligëson

Në Prishtinë është duke u mbajtur një ceremoni për dekorimin e FSK-së dhe Policisë së Kosovës për punën e kryer gjatë emergjencës së tërmetit në Shqipëri.

Lajme

04/12/2019 11:19

Aty është i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta,  si dhe personalitete tjera të shquara politike, shkruan lajmi.net.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë i vendit, Ramush Haradinaj ka falënderuar të gjitha ato shtete që i dolën në ndihmë Shqipërisë në momentet më të vështira.

“Në ditët më të vështira erdhën në ndihmë fqinjët e parë anë e kënd botës. Dhe kjo është një dëshmi që jemi të rreshtuar në anën e duhur. Dëshiroj të falënderoj të gjitha kombet që ndihmuan. Pasi i qajtëm e i varrosëm viktimat, tani nis beteja për të gjallët. Ne jemi unik si kurrë më parë, veri e jug, Kosova e Shqipëri, pushtet e opozitë për njerëzit në nevojë. Ne kemi reaguar si shtet, me njësitë e kërkim shpëtimit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka falënderuar po ashtu të gjithë shtetasit e Kosovës që hapën dyer e tyre për shqiptarët e prekur nga tërmeti.

Ka thënë se modeli i kësaj Kosove që i doli në ndihmë vëllezërve shqiptarë, i bën krenarë të gjithë ata që jetojnë këtu.

“Të njëjtën ditë janë nisur njësitet e Trepçës, kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve e të tjera. Shumë kosovarë kanë hapur dyert për vëllezërit e tyre shqiptar. Në emër të Qeverisë në detyrë, e falënderoj popullin e Kosovës për këtë. Të dashur shqiptarë, vetëm kjo Kosovë e lirë dhe e pavarur e gatshme t’i ndihmojë Shqipërisë na bën krenarë. Të bashkuar s’ka tërmet që na ligëson”, tha Haradinaj. /Lajmi.net/