Haradinaj për masakrën e Dubravës: Edhe pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në 20 vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ka thënë se është e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka mkryer isionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar.
Lajme
Kreu i ekzekutivit ka thënë se vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria, përcjell lajmi.net.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta.
Postimi i plotë:
Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme.
Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar. Mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë. /Lajmi.net/