Haradinaj nuk mori parasysh kërkesën e Gjermanisë e Francës për heqjen e taksës – Arsyeja pse u anulua Samiti i Parisit

Qeveria e Gjermanisë dje ka konfirmuar se është anuluar Samiti i Parisit, kur temë kryesore do të ishte marrëdhëniet Kosovë Serbi dhe diskutimi për një marrëveshje përfundimtare mes vendeve.

Lajme

22/06/2019 19:01

Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare se çka e çoi drejt dështimit këtë samit, mirëpo sipas burimeve të lajmi.net brenda qeverisë gjermane  arsyeja e anulimit të takimit në Paris është mosrespektimi i kërkesës së Gjermanisë dhe Francës nga Haradinaj për largimin e taksës.

Nëse kthehemi në kohë, në fillim të këtij muajit, konkretisht të enjten e 6 qershorit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi një takim me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Pas takimit kryeministri i Kosovës tha se Merkel nuk ia kërkoi heqjen e taksës.

“Taksa nuk hiqet. Nuk është çështje e sotme, as e ditëve në vijim. Nuk është kërkuar heqja e taksës. Është biseduar për të në kontekstin e Dialogut, por taksa nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/videos/411688576099845/?t=43

Videoja ku kryeministri mohon se u kërkua heqja e taksës

Mirëpo ajo çfarë deklaroi fillimisht kryeministri nuk ishte e saktë thonë burimet e lajmi.net brenda qeverisë gjermane. Gjithmonë sipas burimeve nga atje, Haradinajt ju kërkua heqja e taksës dhe se deklarata e tij i kishte zemëruar fort zyrën e Merkelit, ku i kishte kërkuar që të ndryshojnë atë.

Çfarë ndodhi më pas? Kryeministri tërhiqet, më pas tha se në takim me Merkelin u fol edhe për taksën.

“Kancelarja ishte e interesuar për mundësinë e vazhdimit të Dialogut, pra një Dialog konkret, dhe kornizimit të Dialogut. Në kontekst të kësaj, edhe çështja e veprimeve të ndërsjella për krijimin e besimit. Nuk jemi në atë situatë të marrjes së vendimeve për pezullim, ose për ndonjë veprim të caktuar, por është diskutuar edhe kjo çështje. Por, s’ka një epilog”, është shprehur Haradinaj në konferencën për media.

Lexo edhe:

Takimi me Merkelin, Haradinaj një herë thotë se s’ju kërkua heqja e taksës, pastaj thotë se u diskutua pezullimi i saj

Burimet thonë se kërkesa për largimin e taksës u bë edhe në takimin e fshehtë në Berlin, ku Kosova u përfaqësua nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj Selim Selimi dhe ish-avokati i Haradinajt, Michael O’Riley.

Ekipa kosovare thuhet se ka deklaruar se çështja e taksës është në duart e kryeministrit Haradinaj dhe se ata nuk kanë kompetenca për të vendosur për një temë të tillë.

Lajmi.net të enjten raportoi ekskluzivisht për takimin e fshehtë që u mbajt në Berlin, ku qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë  me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus. Për më shumë lexo:

Ekskluzive: Darkë e fshehtë në Berlin për Asociacionin me kompetenca ekzekutive

Lajmi.net merr konfirmim nga kancelaria e Gjermanisë për takimin e fshehtë në Berlin