Haradinaj: Nëntë vite më parë, GJND-ja konfirmoi themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë legjitimoi pavarësinë e Kosovës.

Lajme

22/07/2019 10:32

Para nëntë viteve, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte legjitimuar pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka kujtuar këtë ditë duke thënë se është një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se nëntë vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Lexo edhe: 

9 vjet nga vendimi i GJND-së pro pavarësisë së Kosovës

“Për koincidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor”, ka shkruar Haradinaj ndër të tjera.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.

Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor.

Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike. /Lajmi.net/