9 vjet nga vendimi i GJND-së pro pavarësisë së Kosovës

Nëntë vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kishte vendosur pro pavarësisë së Kosovë.

Lajme

22/07/2019 08:23

Më 22 korrik të vitit 2010, pra 9 vjet më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kishte shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti i atëhershëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, kishte theksuar se kjo gjykatë kishte konsideruar se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të pavarësisë.

“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, kishte deklaruar Ovada, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, në atë kohë as Rezoluta 1244 nuk e ndalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Gjykata, rrjedhimisht, ka gjetur se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, nga shpallja e deklaratës së pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”,ishte shprehur Ovada.

Sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se Deklarata e Pavarësisë nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

“Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”, kishte deklaruar nëntë vite më para Ovada.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. /Lajmi.net/

Hisashi Ovada