Haradinaj në Thumanë: Të kqijat dhe gëzimin i ndajmë bashkë

“Ajo që po e bën Kosova, populli i saj për Shqipërinë, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë. Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri tjetrin, në çdo kohë”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas vizitës që zhvilloi në Thumanë të Shqipërisë, bashkë me kabinetin qeveritar për të parë nga afër pasojat e shkaktuara nga tërmeti.

Lajme

29/11/2019 20:08

Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se bashkëndjenë me ta në këto momente të vështira. “Është situatë jo e lehtë këtu tani. Ka familjarë që kane humbur shumë anëtarë. Shihet se është sanuar pasoja e strehimit e kujdesit tjetër. Kryesorja është dhimbja për të vdekurit pastaj edhe ajo që duhet gjetur zgjidhje për atë që kanë mbetur pa streh. Më vjen mirë që sado pak edhe Kosova iu është gjetur afër bashkëkombësve të vetë, vëllezërve dhe motrave të tyre këtu në Thumanë, por edhe në Durrës e kudo”’ tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej kryeministri në detyrë Haradinaj tha se nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është njerëzore, normale që ne të jemi për njëri tjetrin. “Kishim pas dëshirë që të jemi bashkë vetëm në gëzime, kësaj here është për dhimbje”, tha kryeministri ne detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj ka vizituar banorët që po qëndrojnë nën tenda, ndërsa familjeve që u kanë humbur familarët e tyre u ka shprehur ngushëllime për humbjen e më të dashurve.

Më pas kryrministri Haradinaj është njoftuar nga anëtari i familjes Cara, Isuf Cara për numrin e të vdekurve, i cili siç tha ai ka arritur në 23, nga pasojat që ka shkaktuar tërmeti në Thumanë, ndërsa në emër te banorëve të Thumanës  ka falënderuar njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët ishin të parët që kishin arritur për t’iu ofruar ndihmë banorëve të kësaj zone duke shpëtuar edhe jetë njerëzish dhe siç tha ai duke krijuar siguri për të mbijetuarit e këtij tërmeti. Kryeministri në detyrë Haradinaj sot fillimisht e ka nisur vizitën e tij në Durrës, i pritur nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ku shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’iu qëndruar pranë të prekurve nga kjo tragjedi. /Lajmi.net/