Haradinaj në takim me diplomatin amerikan: Ushtria, interes i veçantë për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me Ndihmës Sekretarin amerikan, Wess Mitchell.
Lajme
Në rrjetin social facebook, Haradinaj ka shkruar se Kosova dhe SHBA-ja kanë miqësi të përhershme.
“Konfirmim i partneritetit strategjik dhe miqësisë së përhershme në takimin me Ndihmës Sekretarin amerikan, Wess Mitchell. E pazëvendësueshme mbështetja e ShBA-së për dinamikën e re të Kosovës, veçanërisht për integrimin në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, avancimin në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se prioritet i Kosovës vazhdon të mbetet krijimi i Ushtrisë dhe normalizimi i raporteve me Serbinë.
“Në funksion të ndërtimit të një klime paqësore e të sigurt, theksova se interes i veçantë i Kosovës është themelimi i ushtrisë dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar kryeministri i vendit.
Sa i përket Ushtrisë edhe Mitchell në konferencën me Thaçin, theksoi se Amerika e përkrahë transformimin e FSK-së.
Ai madje deklaroi se askush nuk mund të vë veto mbi sigurinë e Kosovës, duke aluduar te serbët. /Lajmi.net/