Haradinaj: Në mungesë të shumicës së re parlamentare, Osmani duhet të shpallë zgjedhjet
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar situatën pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se roli i presidentes Vjosa Osmani është i qartë: nëse nuk formohet një shumicë parlamentare e re, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Haradinaj tha se…
 
                        Lajme
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar situatën pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se roli i presidentes Vjosa Osmani është i qartë: nëse nuk formohet një shumicë parlamentare e re, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Haradinaj tha se ekziston një potencial teorik që opozita të krijojë shumicën, por kjo kërkon një marrëveshje të qartë politike midis partive opozitare. “Ne kemi 52 deputetë shqiptar të opozitës, që bëjnë katër më shumë se VV. Që i bie që në rast të një kontrate mes opozitës ekziston mundësia për t’i dhënë vendit qeveri”, tha ai, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, Haradinaj shtoi se një marrëveshje e tillë ende nuk ekziston dhe se rruga e vetme kushtetuese mbetet shpallja e zgjedhjeve. “Kuptohet, duke mos pasur një kontratë të tillë të obligimeve dhe qëllimeve mes opozitës, për faktin se mandati i parë dështoi, situata për presidenten është e qartë: meqë askush nuk ka shumicë të re prej 61 deputetësh, asaj i mbetet të shpallë zgjedhjet”, tha ai.
Ai komentoi edhe raportimet se Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve të saj, duke theksuar se kjo është një masë taktike për të siguruar që deputetët e VV-së të mos mbështesin ndonjë kandidat tjetër nga opozita. “Kam dëgjuar që VV-ja i ka mbledhur nënshkrimet, por kjo është për garanci që një deputet s’mund të nënshkruajë për dy mandatarë. Edhe VV-ja bën këtë për të pasur siguri që deputetët e saj nuk do të mbështesin ndonjë mandatar eventual nga opozita. Mirëpo nuk ka mandatar të ri nga VV-ja dhe nuk do të ketë”, tha Haradinaj.
Sipas tij, çdo kandidat i ri për postin e mandatarit duhet të demonstrojë shumicën prej 61 deputetësh. “Presidentja nuk e jep më mandatin vetëm në bazë të rezultatit të zgjedhjeve; çdo mandatar i ri duhet të ketë prova të shumicës, përndryshe do të ishte një abuzim me kohën dhe situatën që ka vendi”, përfundoi ai në Debat Plus./lajmi.net/
 
                                                       
                                                       
                                                      