Haradinaj: Në energji kryehajni është Kurti, e kryehajnesha Mihali – ata vendosin në KEK edhe në ZRrE, e tani edhe në KOST
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e vënë theksin te situata në sektorin e energjisë. Ai ka adresuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e lidhur gjendjen aktuale me dështime në zhvillimin e kapaciteteve energjetike dhe menaxhimin e sektorit,…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e vënë theksin te situata në sektorin e energjisë.
Ai ka adresuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e lidhur gjendjen aktuale me dështime në zhvillimin e kapaciteteve energjetike dhe menaxhimin e sektorit, raporton lajmi.net
“Asnjë në këtë sallë nuk mundet me ik, kjo është një e vërtetë e cila kurrë nuk do të ndryshojë, dikush u kujdes mos me lënë Kosovën me prodhu 500 megavat energji me qymyr të vetin, me çmim 80 euro. Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës pas vitit 1999 se sa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavat dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia. Krejt VV-në e lus, çdo anëtar interesohuni rreth kësaj që po e them”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu ngriti akuza për mungesë të investimeve në burime të reja të energjisë dhe për, siç tha ai, ndikime të grupeve të interesit në këtë sektor.
“Nuk kanë marrë masa me kriju burime të reja energjetike, a e dini pse, sepse rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit e në të cilën dominojnë serbët, dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë në këtë sallë. Dhe ata bashkë me Albin Kurtin dhe Dejona Mihalin, krijojnë kompani çdo dy javë, i regjistrojnë në Shqipëri e i sjellin në Kosovë. Gjithë në këto kompani është një i afërm i Albin Kurtit, i njerëzve të tij. Në KEK veç Albin Kurti dhe Dejona Mihali vendosin, edhe në ZRre, e tani edhe në KOST një nip i ministrit është kryeshef”.
Sipas tij, kreu i Qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tij mbajnë përgjegjësi për situatën në sektorin energjetik.
“Nuk po them mos rrini në parti të atij që e ka bërë kështu, por diskutoni dhe mos lejoni me ndodh kjo masakër energjetike që po i ndodh këtij vendi, nëse nuk ndërmarrim veprime dëmet do të rriten. Albin Kurti nuk lodhet për këtë, e ka përgatit një pako tash në qershor me i shpërnda disa pare. Në energji kryehajni është Albin Kurti e kryehajnesha Dejona Mihali”, tha Haradinaj./Lajmi.net/