Haradinaj: Kuvendi t’i bashkohet shqiptarëve për UÇK – por ne nuk bëhemi pjesë e lojërave të Kurtit që i fton në takim e më pas tallet me ta
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj është deklaruar para hyrjes në Kuvend për seancën ku pritet që të miratohet Deklarata për Aktgjykimin në Hagë. Haradinaj ka deklaruar se së pari Gjykata Kushtetuese veçse e konfirmoi se me 6 tetor mbyllet afati kushtetues ligjor për zgjedhjen e institucioneve që i bie shumë pak ditë para përfundimit të…
Lajme
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj është deklaruar para hyrjes në Kuvend për seancën ku pritet që të miratohet Deklarata për Aktgjykimin në Hagë.
Haradinaj ka deklaruar se së pari Gjykata Kushtetuese veçse e konfirmoi se me 6 tetor mbyllet afati kushtetues ligjor për zgjedhjen e institucioneve që i bie shumë pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se UÇK-ja bëri luftë çlirimtare e të drejtë dhe se dënimi i dhënë në Hagë nuk është në emër të qytetarëve.
“Kuptohet se gjithë kjo kohë është djegur qëllimshëm nga VV dhe Kurti.Këto ditë të mbetura janë të rëndësishme edhe për institucionet , por edhe për t’iu përgjigjur zërit të qytetarëve që po e shihni se po rritet çdo ditë e më shumë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën që vendimi dënues për ish-krerë e UÇK-së është i papranueshëm dhe i padrejtë sepse UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare”,deklaroi Haradinaj, transmeton lajmi.net.
“S’ëshë as në emrin tim, as në emrin tonë dhe Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë, e t’i bashkohet qytetarëve jo në emrin tim”,shtoi ai.
Po ashtu Haradinaj tha se vendi tashmë është në zgjedhje pasi siç tha ai ky ka qenë edhe qëllimi i kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Dihet se qëllimi ka qenë për të shkuar në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje se çdo gjë shkon për në zgjedhje por e turpshme është të lihen këto ditë pa i shfrytëzu e për t’u bërë bashkë me popullin”.
I pyetur nëse është i gatshëm që të jap votën për president, për shkak të situatës së krijuar me aktgjykimin në Hagë, Haradinaj tha se s’bëhet pjesë e lojërave të Kurtit.
“Ne kemi dhanë ofertën tonë për të ndihmuar krijimin e institucioneve edhe pse e kemi ditur se është lojë e Kurtit. Ai e ka bërë këtë lojë me të gjithë realisht, i ka ftuar në takime e në fund i ka lënë pa marrëveshje. S’jemi pjesë e lojërave të tij dhe lojërave politike s’do të bëhemi.”/Lajmi.net/