Haradinaj: Ikja e qytetarëve do të ndalet kur të ikë kjo qeveri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur për migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës.

Lajme

13/01/2015 14:04

Haradinaj thotë se perspektivën e qytetarëve të Kosovës po e shkatërron korrupsioni, papunësia, varfëria, luksi megaloman i qeverisë si dhe vonesat në integrimet evropiane.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Ramush Haradinajt:

Të nderuar qytetarë të vendit,

Ka kohë që në shoqërinë tonë, lidershipi dhe institucionet po merren me pasojat dhe veprimet e gabuara të institucioneve. Kurse, në fakt, debati për pasojat do të duhej të zhvendoset në debat për shkaqet.

Sot nuk do të duhej të ishte temë migrimi ilegal. Sot do të duhej të ishte temë çka po e mbyt perspektivën e qytetarëve të Kosovës? Dhe, nga një debat i tillë, do të duhej të dalin veprime konkrete për eliminimin e shkaqeve që për rezultat kanë këtë fenomen.

Çka po e shkatërron perspektivën e qytetarit të Kosovës?

– Korrupsioni:

Korrupsioni i sistematizuar dhe i strukturuar nëpër të gjitha mekanizmat e shtetit të Kosovës.

Të gjithë e dimë, edhe vendorët edhe ndërkombëtarët, dhe që të gjithë në këtë temë përfundojnë me deklarata politike, por kurrë veprime serioze.

– Papunësia dhe varfëria:

Kosova si një vend me moshën më të re të popullsisë rrezikon ta shndërrojë këtë karakteristikë nga pasuria në kërcënim.

– Luksi megaloman i Qeverisë:

Të dy partitë në koalicion po dëshmojnë se shqetësimi kryesor i tyre është akomodimi i militantëve partiak dhe ruajtja e rrjeteve të tyre klienteliste. Këto janë shqetësimet e vetme që kanë partnerët e koalicionit.

– Vonesat në integrimet evropiane:

Është e padrejtë që për shkak të keq-qeverisjes së toleruar të ndëshkohen dy milionë qytetarë të Kosovës, e jo keq-qeverisja. Janë dy milionë qytetarë të vetmit në Evropë të cilëve u është pamundësuar lëvizja e lirë.

Është i kotë debati dhe apelet e thata të zyrtarëve qeveritarë përderisa arsyet për ikje nga Kosova nuk po luftohen.

Tashmë është e qartë: Ikja e qytetarëve do të ndalet atëherë kur ikë kjo Qeveri.