Të Infektuar: 57.028

Të Shëruar: 50.184

Të Vdekur: 1.433

Haradinaj fton Osmanin në debat publik për konceptet presidenciale

17:58 | 14 Janar 2021

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë ftesë publike Vjosa Osmanit për debat publik, lidhur me konceptet presidenciale, si dy kandidatë për kreun e shtetit.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës për presidente të Osmanit, kreu i AAK-së nga Gjakova uroi të njëjtënpër kandidaturën e saj, derisa tha se ai ka qenë gjithmonë tre hapa para të tjerëve kur e ka bërë kandidaturën e tij publike më herët si president.

Ai para strukturave partiake në Gjakovë tha se qytetarët duhet ta shohin vizionin e tyre në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Deri sot ishte pikëpyetje kjo kandidatura për president a është në rregull, apo me kohë a para kohe. Ne kemi gjithë tre hapa përpara tjerëve, kur e kemi bërë këtë kandidaturë e kemi ditë, e kemi bërë me kohë. Tani morra vesh që edhe zonja Osmani është kandidate, i uroj për kandidatura njëkohësisht këtu prej Gjakove e ftojë në një debat televiziv presidencial që ne me ia paraqitë qytetarëve tanë, vizionin se si e shohim Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Si arrijmë në NATO, BE, OKB dhe cilat janë përpirësit e secilit koncept presidencial, timin dhe saj”, tha ai.

Haradinaj strukturave iu tha se si president synim do të ketë anëtarësimin në NATO.

“Kësaj here më 14 shkurt vendosim edhe kush do të jetë presidenti i vendit. Tani në bazë të përvojës që e kam pas nderin dhe privilegjin me përkrahjen e juaj, fuqinë me udhëheq qeverinë e vendit dy herë, jam i bindur se si president i vendit kësaj here do t’i shërbejë vendin dhe Gjakovës në kohë kritike. Ka shumë procese të ndjeshme para nesh shumë të vështira dhe ne i dëgjojmë me qëndru në status-qoue. Ne vërtet e kemi bërë ushtrinë, por ne duhet të vazhdojmë deri në NATO. Kuptohet me kalu në partneritet për paqe por me arrit në NATO. Vërtet ne kemi arrti shumë njohje, por nuk e kemi marrë pesëshen e BE-së, katër prej tyre janë anëtare të NATO-së”, tha ai.

Krahas kësaj, kreu i AAK-së paraqiti edhe vizionin e partisë së tij për rimëkëmbjen ekonomike.

“Aleanca ka paraqiti një program qeverisës të mirë, ka përgatit pjesën ekonomike. I ka parapa aktivizimin e resurseve dhe ka paraparë një infuzion ekonomik, fondi 1 miliardësh. Nuk është vetëm imagjinatë, nuk vjen prej atyre që nuk kanë përvojë, por prej atyre që kanë qeverisë me vendin dhe vjen prej njerëzve që kanë menaxhu buxhet dhe e dinë si mbushet ky fonde. Një pjesë vjen prej vet buxhetit, rialokim një pjesë vjen prej huave, kredive që i marrim, pasi kemi mundësi, por mund të vjen edhe nga grandet. Iu thash këtu që nuk po hymë në këto zgjedhje vetëm sa me hy, po hymë me vizion”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Gjakovës nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini tha se janë të mobilizuar për fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Krejt jemi të mobilizuar, jemi gati e kemi motivin siç e kemi pas gjithmonë. Ne kemi me dalë me iu pa në lagje dhe fshatra, kemi me dalë me kandidatët tonë dhe kryetarin. Një pjesë të madhe të këtyre kemi me bërë në mënyrë virtuale për shkak se e kemi problem me u mbledh shumë pasi janë disa masa që duhet të respektohen”, tha ai.

Kandidatët e AAK-së për deputetë nga qyteti i Gjakovës janë Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Burbuqe Bakia-Deva, Lahi Brahimaj, Agron Kryeziu, Haxhi Sejdiu, Florentina Gjergjaj, Erzen Bala, Adea Roka, Shefqet Bina, Hajredin Berisha.