Haradinaj falënderon votuesit: Na dhatë krahë për të vazhduar betejën për Kosovën

Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar pasi është publikuar rezultati i zgjedhjeve që janë mbajtur sot. Ai ka thënë se kur sovrani flet, të tjerët heshtin, shkruan lajmi.net. “Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve…

Lajme

07/06/2026 22:05

Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar pasi është publikuar rezultati i zgjedhjeve që janë mbajtur sot.

Ai ka thënë se kur sovrani flet, të tjerët heshtin, shkruan lajmi.net.

“Mirënjohës ndaj çdo angazhimi tuajin. Falënderues për besimin e dhënë. Ju që i besuat vizionit që patëm për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar, ndryshimeve që bëmë, një rreshtimi të ri drejtues dhe sfidave për atdheun e përbashkët. Për ju që nuk ratë pre e propagandës dhe luftës hibride kundër nesh”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se vota e qytetarëve ishte më shumë se mbështetje për Aleancën.

“Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara. E kuptoj lodhjen tuaj nga zgjedhjet e përsëritura, prandaj vota për ne këtë herë ka vlerë të shumëfishtë. Është mirënjohje për çka kemi bërë dhe për ku jemi nisur. Është mirënjohje për listën tonë të shkëlqyer, së cilës kësaj radhe me shumë sukses i priu Ardian Gjini”, ka shkruar Haradinaj.

Ai i ka garantuar votuesit se janë më të fokusuar se asnjëherë, që t’i përmbushin detyrat që ka thënë se i presin në interes të shtetit dhe kombit.

“Njëkohësisht, dua t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe të gjitha institucionet që ishin të angazhuara në organizimin e këtyre zgjedhjeve. Po dua të besoj se kanë qenë të lira, të ndershme e demokratike!”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: