Haradinaj e quan të kot takimin Kurti-Vuçiq: Po të ishte Amerika në dialog do të ishim në prag të marrëveshjes

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të kot takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sot në Bruksel.

Lajme

19/07/2021 19:10

Haradinaj në një postim në Facebook shkroi se secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve.

“Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, tha ish-kryeministri Haradinaj.

“Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin.”

“Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?”, shtoi ai.