Haradinaj e quan “mashtrim të radhës nga Kurti”: Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë 400€

Sot u mbajt takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe krerëve të sigurisë së Kosovës, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati. Kurti në takim ka thënë se mbështetja e Qeverisë për FSK-në nuk ka qenë…

Lajme

04/09/2024 13:17

Sot u mbajt takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe krerëve të sigurisë së Kosovës, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.

Kurti në takim ka thënë se mbështetja e Qeverisë për FSK-në nuk ka qenë asnjëherë më e madhe.

E si të duhur takimin e ka cilësuar edhe i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Por njëkohësisht, atë që u diskutua në takim, Haradinaj e quajti “mashtrim të radhës”.

“Gjithmonë është lajm i mirë kur Kryeministri i vendit takon krerët e sigurisë, por kur pas katër vitesh Qeverisje premtimet parazgjedhore mbesim mashtrime paszgjedhore është e natyrshme që edhe ky takim është veq fillimi i mashtrimit të radhës”, shkroi Haradinaj në Facebook, përcjell lajmi.net.

Tutje, ai i përmendi disa siç ai i quajti “mashtrime pas zgjedhore të Kurtit”, duke iu referuar këtu pagës së ushtarëve e premtimit për ushtri të detyrueshme.

“Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë € 400, të ketë pajisje personale tepër joadekuate kurse rritjen e premtuar të pagës plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve. Premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner. ‘Fondi i Sigurisë’ më as që përmendet nga ai”, theksoi ai.

Sipas Haradinajt, ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim.

“Ushtria nuk është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të Albin Kurtit”, përfundoi ai./Lajmi.net