Haradinaj: Brenda 100 ditëve të para të qeverisë do të marrim Planin Aksional për Anëtarësim në NATO

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka prezantuar sot kandidatët nga Peja, për Kuvendin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025. Me këtë rast, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se brenda 100 ditëve të para të qeverisë Haradinaj, do të marrin Planin Aksional për Anëtarësim në NATO. “Kosova duhet…

Lajme

02/11/2024 20:16

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka prezantuar sot kandidatët nga Peja, për Kuvendin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025.

Me këtë rast, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se brenda 100 ditëve të para të qeverisë Haradinaj, do të marrin Planin Aksional për Anëtarësim në NATO.
“Kosova duhet të arrijë një kontratë të marrëdhënieve me Amerikën. Kosova në katër vitet e fundit ka bërë shumë devijime të pashpjeguara, si pasojë e të cilave ka humbur besimin e aleatëve. Ushtrinë e Kosovës e ka krijuar Amerika, prandaj ne kërkojmë që të anëtarësohemi direkt në NATO. Ekziston mundësia që Amerika t’ia japë Kosovës atë që njihet si Plani Aksional për Anëtarësim në NATO. Brenda 100 ditëve të para të qeverisë Haradinaj, do të marrim Planin Aksional për Anëtarësim në NATO”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se qasja e Kurtit është e dëmshme për vendin.
“Ne kemi motive të shenjta për të vepruar drejt dhe me kohë. Qasja e Kurtit është e dëmshme për vendin, cilësimet e mia për të janë të sakta dhe ashtu qëndrojnë”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kosova do të jetë shumë shpejt anëtare e NATO-s.
“Bashkimi i votës në Aleancë i fuqizon aksionet tona në vendimmarrje politike. Jam optimist për ndryshimin që vjen më 9 shkurt. Aleanca do të arrijë t’i japë Kosovës sigurinë dhe anëtarësimin në NATO. Kudo që ka siguri, ka edhe zhvillim ekonomik, shëndetësi të mirë, arsim cilësor e përparim në çdo segment të jetës në Kosovë. Kur isha në Amerikë për vizitë, u thashë që të bëhen gati për një kontratë të re me Kosovën, dhe për këtë kam marrë mbështetje për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë. E them me bindje të plotë se do të hyjmë në NATO shpejt”, ka përfunduar Haradinaj.
Kandidatët për deputetë nga AAK në Pejë janë: Ali Berisha, Shemsedin Dreshaj, Gazmend Syla, Arbër Tolaj, Diellza Kukaj, Fatmir Gashi, Ramush Ahmetaj dhe anëtari më i ri në parti, afaristi Egzon Kelmendi.