Haradinaj alarmon për krizën në sektorin e qumështit: Prodhuesit vendorë po përballen me një situatë të rëndë
Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse për situatën me të cilën po përballet sektori i qumështit në Kosovë. Haradinaj ka thënë se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së vendit dhe se institucionet duhet të krijojnë kushte për zhvillimin e prodhimit…
Lajme
Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse për situatën me të cilën po përballet sektori i qumështit në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së vendit dhe se institucionet duhet të krijojnë kushte për zhvillimin e prodhimit vendor dhe rritjen e eksporteve, e jo të ndërmarrin masa që rrezikojnë mbijetesën e industrisë.
“Çdo shtet serioz duhet ta mbrojë prodhuesin vendor, fermerin dhe përpunuesin, duke krijuar kushte për zhvillim dhe eksport, e jo duke marrë vendime që rrezikojnë mbijetesën e industrisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme, por ka kërkuar që masat ndaj produkteve të deklaruara dhe që plotësojnë standardet ligjore të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj.
Sipas Haradinajt, prodhuesit vendorë po përballen me një situatë të rëndë, ndërsa masat e ndërmarra nga institucionet dhe agjencitë përgjegjëse, sipas prodhuesve, po e paralizojnë industrinë e qumështit.
“Pasojat tashmë po ndihen. Në shumë markete po krijohen mungesa të produkteve, linjat e prodhimit po ndalen, punëtorët mbeten pa punë efektive, ndërsa shpenzimet fikse, pagat, energjia, kreditë dhe obligimet ndaj fermerëve vazhdojnë çdo ditë”, ka thënë ai.
Haradinaj e ka vlerësuar veçanërisht shqetësuese zbatimin e këtyre masave në muajin gusht, në periudhën kur prodhimi dhe grumbullimi i qumështit janë në kulm.
“Këto vendime ndikojnë drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit dhe dëmtojnë fermerët, përpunuesit dhe konsumatorët”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për vështirësitë që prodhuesit vendorë vazhdojnë të kenë në eksport, ndërsa tregu i Kosovës mbetet i hapur për import.
“Një shtet duhet të krijojë politika që forcojnë prodhimin vendor, hapin tregje të reja dhe mbrojnë investimet, jo politika që e dobësojnë industrinë e vet”, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së Aleancës.
Në fund, Haradinaj u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë dialog me përfaqësuesit e industrisë, të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të marrin vendime që mbrojnë njëkohësisht konsumatorin dhe prodhuesin vendor.
“Një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.