Hapen të gjitha qendrat e votimit

Sipas Valdete Dakës, vetëm një vendvotim në Mitrovicën e Veriut nuk është hapur ende për shkak të problemeve teknike.

Lajme

03/11/2013 08:28

Të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur me kohë, ndërsa një vendvotim në pjesën veriore të Kosovës nuk është hapur ende për shkaqe teknike, ka thënë Kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka në konferencën e sotme të parë për shtyp.

“Vetëm një vendvotim në Mitrovicën e Veriut nuk është hapur për shkaqe teknike. Nuk ka njoftime për ndonjë parregullsi eventuale.

“Sipas informatave që kemi nuk është shpërndarë materiali. Edhe disa anëtarë të këshillit të vendvotimit nuk janë paraqitur dhe ata do të zëvendësohen”.

Daka është shprehur se është ende herët të flitet për detaje të procesit.

“Nuk ka ndonjë raportim për incidente apo për parregullsi. Sa i përket daljes, ende është shumë herët që të mund të themi diçka, sepse informatat e para vijnë rreth orës 11”, ka thënë ajo.

Për zgjedhjet e sotme lokale në Kosovë janë përgatitur 798 qendra votimit me 2.366 vendvotime.