“Hanin, pinin e këndonin si në dasma”: Një tregim perlë i Petro Markos, me tërmetet

"U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para"

ShowBiz

29/11/2019 21:08

Meqë njerëzit këto ditë janë të shokuar dhe tronditur emocionalisht nga tërmetet e nëpasnjëshme, poi u sjellim një tregim të Petro Markos, me tërmet:

“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha.

Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.

U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para.

Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk

kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!

Hanin, pinin e këndonin si në dasma.

Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…

Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

– Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën.

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!

Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”-

Petro Marko, Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët, fq. 90-91(TemA)