Hamza takohet me ambasadorin francez, flasin për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit në çështjet me interes dypalësh

Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kandidati për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot takim me ambasadorin e Francës Olivier Guérot. Hamza përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se me ambasadorin Guérot kanë diskutuar për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në çështjet me interes dypalësh, por edhe në…

Lajme

04/09/2024 17:50

Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kandidati për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot takim me ambasadorin e Francës Olivier Guérot.

Hamza përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se me ambasadorin Guérot kanë diskutuar për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në çështjet me interes dypalësh, por edhe në interes të forcimit të paqes, bashkëjetesës dhe sigurisë në Kosovë e rajon.

“Franca është partnere strategjike e Kosovës për forcimin e perspektives euroatlantike dhe zhvillimin ekonomik. Si mike e dëshmuar, ajo na ka mbështetur në të gjitha proceset jetike për vendin dhe është adresë shumë e rëndësishme për integrimin e shteteve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hamza.

I pari I Mitrovicës ndër të tjera është shprehur se Kosova është mirënjohëse ndaj Francës dhe partnerëve strategjikë perëndimorë.

“Unë besoj se në rrugën tonë drejt realizimit të vizionit euroatlantik duhet të ecim së bashku me të gjitha shtetet partnere perëndimore”, ka përfunduar Hamza. /Lajmi.net/