Hamza: Qeveria mund të merr vendime, por paratë nuk mund t’i lëshojë pa miratimin në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se paketa financiare e propozuar nga qeveria nuk mund të zbatohet pa kaluar në Kuvend.

Lajme

10/04/2020 22:34

Hamza, në RTV Dukagjini, thotë se vendimet që ka marrë qeveria për të ndihmuar bizneset nuk mund të zbatohen pa u bërë plotësim ndryshimet e ligjeve në Kuvend.

“Aspektet teknike mund të përgatiten, por ekzekutimi i pagesave nuk mund të bëhen”, tha ai.

Ish-ministri i Financave thotë se Ligji për financa nuk lejon që deficiti buxhetor të jetë më i lartë se 2%.

“Ky ligj është në fuqi nga viti 2013 dhe është bërë bashkë me FMN në mënyrë që asnjë qeveri të mos fus Kosovën në borxhe të mëdha”.

I pari i deputetëve të PDK-së thotë se pa bërë plotësim ndryshimin e ligjit në Kuvend pagesat nuk mund të bëhen.

“Kjo i bie që Qeveria mund të merr vendime, por paratë nuk mund t’i lëshojë”.

Ai thotë se asnjë nga këto ndihma që po i premtohen sektorit privat nuk janë parashikuar në tabelat buxhetore.

Hamza thotë se pako financiare e propozuar nga PDK përpos që dallon në shumë nga ajo që ka propozuar qeveria, mbështetet edhe në ligj.