Hamza: Kontrata e Termocentralit “Kosova e Re”, nuk e dëmton buxhetin

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se në buxhetin e vitit 2018-të, nuk hynë projekti i termocentralit ”Kosova e Re”.

Lajme

20/12/2017 21:40

Hamza ndërsa ka debatuar në Zona B, çështjen e marrëveshjeve që sigurojnë përfundimisht pavarësinë energjetike të vendit, ka deklaruar se brenda kontratës komerciale ka mekanizma të cilët nuk lejojnë dëmtimin e buxhetit të Kosovës.

”Sot Kosova ka arritur në një fazë të rëndësishme pas shumë vitesh, nënshkrimi i kontratës komerciale dhe tashmë presim punë të tjera”.

”Kjo kontratë për ”Kosovën e Re”, që është nënshkruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka bazat dhe të dhënat kryesore të cilat i bart vet kjo ministri”.

”Ministria e Financave ende nuk ka pranuar ndonjë dokument zyrtarë që ka shifra të sakta. Por besoj se brenda kontratës janë vendosur mekanizma të mirë që nuk e vënë në dëmtim buxhetin e Kosovës”.

”Banka Botërore gjatë gjithë kohës ka qenë në proces, pritet që pas nënshkrimit të marrëveshjes, të hapen bisedat për marrëveshjen financiare”.

”Buxheti i 2018 ka prioritet investimet kapitale por ”Kosova e Re” nuk është pjesë e buxhetit sepse është projekt jashtëbuxhetor”, është shprehur Hamza në Zona B.