Hamza – Bislimit: VV-së kur s’i konvenon ligji s’kanë hiç, jeni të dënuar nga Albin Kurti deri te të tjerët

Në T7 kanë qenë të ftuar mbrëmë përfaqësuesit e partive politike ku është diskutuar për programin e tyre për zhvillimin ekonomik.

Lajme

21/09/2019 08:22

Shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Bedri Hamza nga PDK dhe Erolld Belegu nga koalicioni AAK-PSD janë përballur me njëri tjetrin, ku temë kryesore ishte ekonomia, drejtësia dhe taksa ndaj Serbisë.

Ata kanë akuzuar njëri tjetrin për korrupsionin e lartë në institucionet publike në Kosovë.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe anëtari i Lëvizjes vetëvendosje, Besnik Bislimi, kanë debatuar ashpër rreth korrupsionit në Kosovë.

Hamza tha se raporti i auditimit është shumë i keq në kohën kur Vetëvendosja e ka udhëhequr Prishtinën.

“Raporti i auditimit është shumë i keq, kohën kur ka qeverisë VV-ja me Prishtinën. Kontratat mbi vepër, ekzekutimin e buxhetit. Modeli i juaj i qeverisjes, është shumë i keq” tha Hamza.

Por e shpejtë ishte përgjigja e Bislimit i cili hodhi akuza drejt partisë së Hamzës.

“Këta me thanë Blerand Stavileci i ka hije, por jo juve. 53 milionë që e keni marrë vendim, është sa krejt buxheti i Prishtinës. Me thanë Bedri Hamza, që është në parti me Xhabir Zharkun e Kacanikut…” tha ai.

Ndërsa Hamza iu përgjigj se Vetëvendosjes nuk i konvenon respektimi i ligjit, por ka qëllim vetën të hedhin gaz dhe t’i thyejnë makinat në rrogë.

“Ju VV kur s’ju konvenon Ligji, s’ka ligj hiq. I thyeni kerret, qitni gaz, jeni të dënuar… prej Albin Kurtit e deri te të tjerët. S’keni as program, as ekip… Kqyreni Prizreni, ju s’bëheni me kërkan, edhe ndërmjet vete jeni prish” deklaroi ai.

Ndërsa për Bislimin, këto argumente nuk janë të nivelit të debatit, ndërsa Hamza insistoi se Vetëvendosja nuk ka dhënë rezultat të mirë.

Bislimi iu përgjigj duke thënë se korrupsioni është rritur, ndërsa Hamza i tha se ai nuk ka të drejtë të flasë për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se do të luftohet nga partia e tij.