Haliti: Po bëhet luftë speciale ndaj meje dhe Veselit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka folur lidhur me raportimet e fundit të medieve për përfshirjen e tij në aferën e fajdeve, ryshfetit dhe korrupsionit.
Lajme
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka folur lidhur me raportimet e fundit të medieve për përfshirjen e tij në aferën e fajdeve, ryshfetit dhe korrupsionit.
Në një video që mbrëmë qarkulloi për media, dëgjoheshin Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi teksa merrnin 50 mijë euro nga biznesmeni Faton Dalladaku, kinse për t’ia dërguar Halitit. Plani ishte që pas dy javësh të dorëzoheshin plot 120 mijë euro.
Haliti ka demantuar të gjitha këto raportime, cak i të cilave thotë se kanë qenë ai dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Sipas tij, kundër tyre po zhvillohet një luftë speciale, e paguar, pavarësisht aktakuzës së kësaj lënde, e cila tregon qartazi se emrat e tyre ishin keqpërdorur nga biznesmenët e përfshirë në këtë aferë kriminale.
Haliti i ka thënë Periskopit se të gjitha raportimet që janë bërë për të, kanë qenë insinuata për ta dëmtuar dhe degraduar atë dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Nënkryetari i Kuvendit, thotë se kurrë nuk ka dëgjuar për këta persona, deri në publikimin e këtij rasti, derisa shton se asnjëri prej tyre asnjëherë nuk kanë pasur rast të takohen apo të pinë kafe me të.
“Po të them se krejt ajo që është shkruar në media, përfshirë KTV’në janë insinuata për t’i dëmtuar e degraduar njerëzit e dëmtuar. Në këtë rast, politikisht janë përpjekje ta degradojnë Xhavit Halitin e Kadri Veselin. Puna është që kush e lexon aktakuzën e tyre, ne nuk mund të jemi, po flas në vetën e parë, unë nuk mund të jem i atakuar, e as nuk duhet të jem meqë nuk e njoh askënd prej atij grupi. Në qoftë se njëri prej tyre ka pasur rast të pijë kafe me mua, apo të flas me mua të paktën njëherë, atëherë krejt me i pranu. Unë jam palë e dëmtuar, jam e dëmtuar për shkak se kanë keqpërdorur emrin tim në dallaveret e mashtrimet e tyre”, ka thënë Haliti për Periskopin.
Tutje, ai tregon se për keqpërdorimin e emrin të tij kishte dëgjuar vite me parë.
Dhe për këtë, tregon se si kishte dorëzuar padi në Polici.
“Në momentin që unë e kam marrë vesh këtë punë, që dikush po e përmend emrin tim, unë kam dorëzuar padinë në Polici. Jo më 2015 qysh po e lexoj, por padia besoj që është bërë më 2012, ose 2013. S’jam i sigurt tamam. Unë kam pasur informata se po keqpërdoret emri im. Të gjitha të dhënat që i kam marrë në rrugë private ia kam çuar Policisë, qoftë për emra që s’i kam njohur. Ta them të drejtë, unë kurrë as si fytyrë nuk e kam parë Rrahim Hashimin, përveç kësaj radhe kur ka shkuar në Hagë. Unë as nuk e kam ditur as kush është, as që ka qenë në luftë, kam menduar që është ndonjë mashtrues ordiner edhe e kam çuar në Polici. Pastaj, hetuesit më kanë intervistuar edhe në zyrë. U kam treguar si është puna, prej kujt i kam marrë të dhënat e të gjitha. Të gjitha kanë qenë të shkruara. Më kanë marrë një pjesë në telefon me mesazhe të shkuara, të gjitha i ka Policia. Më pas, lënda ka shkuar në Prokurori. Në këtë rast, unë jam qytetar. Padia ose informata ime iu është besuar organeve të shtetit tim. Në këtë rast, departamentit të krimeve të rënda në Polici, dhe më pas krimet e rënda e kanë proceduar lëndën në Prokurori”, ka deklaruar Haliti.
Tani, ai kërkon përgjegjësi nga Prokuroria për ndalimin e kësaj lënde, për çka thotë se duhet të ndiqet penalisht i gjithë zinxhiri që ka ndikuar rastin dhe e ka lejuar që ai të keqpërdoret për qëllime politike.
“Kush e ka ndaluar lëndën, është problem në vete. Unë besoj që i gjithë zinxhiri i cili ka ndikuar që kjo lëndë të mos procedohet, duhet të ndiqet penalisht. Sikur diçka e tillë të ishte e vërtet, unë do të përgatitsha ndryshe, do të flisja ndryshe, pasi jam përfaqësues i votuar i Popullit. Është ofendim për qytetarët, e për popullin, e për ata që më kanë votuar, që t’i përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës, po të isha i implikuar në këto çështje. Ky është një instrumentalizimi i mediumeve, i paguar, i sponsorizuar, por nuk e di nga kush. Të akuzosh viktimën, veç tek ne ndodh kjo. Analizojeni se kush është viktima në këtë rast. A i kanë pyetur ata, nëse janë të implikuar në këtë çështje të korrupsionit, e jo të fajdeve, siç po u thoni. Korrupsioni është kërkim lekësh. Dikush ka kërkuar lekë në emrin tim e të Kadriut për t’iu mundësuar shit-blerje. Unë nuk e di se kush çka ka blerë”, ka thënë ai tutje.
Haliti ka sqaruar se kjo nuk është hera e parë që emri i tij është keqpërdorur nga mashtrues të ndryshëm, për qëllime të liga.
Por, shton se për këtë rast opinioni do të duhej të informohej realisht.
“Kam pasur edhe raste të tjera kur njerëzit ose mashtruesit kanë keqpërdorur emrin tim. Kjo s’është hera e parë. Por, për këtë rast opinioni duhet informuar realisht. Nëse dikujt s’i pëlqen Xhavit Haliti, apo Kadri Veseli, hajde ta degradojmë politikisht e me argumente, por të na implikosh në çështje të grupit kriminal, nga i pari deri tek i fundit, sepse ata e kanë incizuar njëri tjetrin, kanë bërë dosje ndoshta për të na bërë shantazh edhe neve. Por t’i thuash se je implikuar në fajde, dikujt që s’ka lidhje në atë punë. Askush deri më sot s’ka thënë që Xhavit Haliti ka dhënë fajde. Askush s’mund të thotë se i kam dhënë apo i kam marrë para me fajde. S’jam pjesë e asnjë grupi unë. pse kjo urrejtje patologjike ndaj dy figurave të PDK’së, veçanërisht kohën e fundit.”, ka deklaruar Haliti.
Ai thotë se ka 40 vite që shpeshherë ai është cak i sulmeve të medieve apo politikave të ndryshme, andaj më nuk i bëjnë përshtypje akuzat e tilla, të pavërteta.
“E gjithë kjo s’është asgjë tjetër, veç një lufte speciale kundër nesh”.
Nënkryetari i partisë së Veselit thotë se nuk është detyrë e tij të hetojë se kush e ka keqpërdorur këtë rast.
Por, thotë se pret hetim të mirëfilltë nga organet e shtetit, të cilave iu ka besuar në momentin që ka dorëzuar padinë.
“Unë nuk e kam për detyrë me i hetu rastet, por organet e shtetit. Nëse ka Inspektorat policor, nëse ka Këshill të lartë Gjyqësor, nëse ka Këshill Prokurorial do të duhej me vepru me urgjencë, me spastru vetë vetën, pse kjo lëndë që ka të bëjë me krim të niveleve të larta ekonomike e politike, veçanërisht me figura politike, pse po frikësohen”, tha Haliti.
Dje në media u publikua një video, në të cilën Rexhepi dhe Hashimi shiheshin duke marrë 50 mijë euro nga Dalladaku për t’ia dërguar Halitit. Raportohej se plani ishte të dorëzohen në total 120 mijë euro për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e spitalit në qendër të Prishtinës, më saktësisht në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në këtë aferë, ishte përmendur edhe emri i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për të cilin raportohej se ka marrë 200 mijë euro për nënshkrimin e asaj kontrate të spitalit.
Veseli kishte reaguar menjëherë ndaj këtyre raportimeve, dhe në një konferencë për media kishte paralajmëruar dorëheqje në rast se vërtetohet se ai është i përfshirë në atë aferë kriminale.
Njëjtë ka vepruar edhe deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa, i cili mbrëmë tha se nuk i njeh biznesmenët e përfshirë në këtë aferë kriminale, dhe se do të jepte dorëheqje po të vërtetohej përfshirja e tij.
Ndërkohë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale, fajde, detyrim dhe mashtrim, Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar 30 ditë paraburgim, Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit.
Por, gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj për Rrahim Hashimin, i cili edhe në videot e transmetuara shihet, duke numëruar para.
Pretendimet e Prokurorisë se të arrestuarit kanë kryer veprat penale të fajdes dhe të detyrimit, mbrojtja i ka cilësuar të pabazuara.