Haliti kritikon udhëtimin e Presidentes dhe Kryeministrit në SHBA: Nëse s’kanë pasur ftesë, pse kanë shkuar atje?
Xhavit Haliti, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kritikuar ashpër udhëtimin e Presidentes dhe Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ngritur dyshime mbi legjitimitetin e pjesëmarrjes së tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Haliti tha se nëse udhëtimi nuk është bërë me ftesë zyrtare, atëherë ai përbën abuzim…

Lajme
Xhavit Haliti, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kritikuar ashpër udhëtimin e Presidentes dhe Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ngritur dyshime mbi legjitimitetin e pjesëmarrjes së tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Haliti tha se nëse udhëtimi nuk është bërë me ftesë zyrtare, atëherë ai përbën abuzim institucional dhe propagandë politike.
“Ju keni parë çfarë propagande është bërë ‘shkoi’. Njësoj si në kohën kur shkonin në Amerikë dhe kur ktheheshin më tregonin sa janë ata steak-at e mëdhenj në Amerikë dhe kush i ka pritur atje. Takime në margjinat e OKB-së është e lehtë me u taku… Nëse këta nuk kanë pasur ftesë, presidentja dhe kryeministri, atëherë lind pyetja vetvetiu nga qytetarët: ku i kanë marrë lekët që kanë shkuar atje, me cilët lekë kanë shkuar?”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka theksuar se në mungesë të një ftese zyrtare, udhëtimi i tillë nuk ka asnjë bazë institucionale dhe përbën keqpërdorim të fondeve publike.
“Nëse nuk ka ftesë zyrtare, si shkon ti atje? Nëse nuk e ke projektuar në buxhetin tënd dhe s’ke ftesë, ti ke shkuar kot atje, me na tregu si po takoheni në kafe, tu pi kafe dhe naj fotografi të rastësishme aty në margjinat e asaj ose me thënë që ‘u fotografuam’ e me thënë që ‘folëm’. Jo, 15 sekonda është protokolli i palëve që e kanë rezervuar vendin për t’u fotografuar me presidentin e Amerikës dhe bashkëshorten e tij, asnjë fjalë aty s’mundet me u folë”. ka shtuar ai në dukagjin.
Haliti ka nënvizuar se takimet e përfolura me Sekretarin e Shtetit apo me Presidentin amerikan nuk mund të quhen zyrtare, nëse ato zhvillohen jashtë sallave të protokollit diplomatik.
“Me Sekretarin e Shtetit nuk bisedohet në këmbë, edhe me Presidentin nuk bisedohet duke u fotografuar – dihet që ti s’ke qenë brenda në sallë”, ka thënë ai.
Sipas tij, mungesa e përfaqësuesve të Kosovës në takime të rëndësishme ndërkombëtare ka krijuar përshtypje të keqe dhe është shfrytëzuar nga Serbia.
“Na ka provokuar Vuçiqi duke mos qenë aty… Ka qenë për mua fyerje dhe ofendim shumë i rëndë për Kosovën kur ai, duke u zgërdhirë, tha: ‘Unë jam këtu, por ata s’janë këtu, ata janë jashtë atje…’ ”, ka përfunduar Haliti.