Hajdari: Lladrovci kampion i pazareve dhe abuzimeve publike
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari tha se audioincizimi i publikuar në të cilin raportohet se pjesë e tij është edhe kryetari aktual i Drenasit, Razim Lladrovci tregon një akt skandal, të pa precedentë, turp institucional dhe sipas tij një abuzim flagrant me detyrën publike. Në një konferencë për…

Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari tha se audioincizimi i publikuar në të cilin raportohet se pjesë e tij është edhe kryetari aktual i Drenasit, Razim Lladrovci tregon një akt skandal, të pa precedentë, turp institucional dhe sipas tij një abuzim flagrant me detyrën publike.
Në një konferencë për media, Hajdari para komunës së Drenasit tha se ai që thirrej për qeverisje me duar të pastra, po del që i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve.
Siç tha Hajdari, ajo që u dëgjua në audioincizim, që raportohet se Lladrovci flet për miliona, sipas tij është dëshmia që korrupsioni ka zënë rrënjë në zyrën e kryetarit aktual të Drenasit.
“Ky nuk është vetëm një lajm i zakonshëm, është një alarm për fatin e komunës sonë. Dy ditë më herët opinioni publik dhe komuna jonë u shokua nga një audioincizim tronditës ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare më tokat e komunës si të ishin pronë personale e tij, duke i llogaritur miliona përfitime. Ky skandal nuk është rastësi është fotografia e pastër e qeverisjes së tij. Kur populli numëron centët, kryetari numëron milionat. Ai që thirrej për qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Kjo është një akt skandal, i pa precedentë, është turp institucional, është abuzim flagrant me detyrën publike dhe pronën e qytetarëve…Kjo është dëshmia që korrupsioni ka zënë rrënjë deri në zyrën e kryetarit në ikje, i mbjellur po nga ai…Është e papranueshme që derisa fëmijët tanë rriten pa kushte elementare, disa shndërrojnë komunën bankomat personal”, tha Hajdari.
Hajdari tha se Lladrovci është kampion, porse sipas tij i pazareve e abuzimeve me prona publike.
Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt të hetojnë këtë rast.
“Nga kjo foltore ftoj organet e drejtësisë që të marrin menjëherë këtë rast në shqyrtim, ta hetojnë deri në fund dhe t’i nxjerrin para drejtësisë që kanë abuzuar me detyrën dhe besimin e qytetarëve. Drejtësia nuk duhet të vonohet. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar…Është e dhimbshme që gara për komunën tonë po ndotet me skandale të tilla. Askush nuk mund të mos pret prej meje heshtje përballë këtij turpi. Ai që veten e quante kampion, vërtetë po del të jetë kampion pazareve dhe abuzimeve me prona publike. Kampion i korrupsionit, jo i qytetarëve…12 tetori do të jetë dita kur Drenasi do ta ndërrojë faqen dhe do të hap një kapitull të ri”,potencoi Hajdari.
Hajdari tha se ka pasur dyshime për korrupsion edhe më herët për Lladrovcin, gjatë kohës sa ai ishte pjesë e PDK-së, porse sipas tij, tanimë kjo u dëshmua me fakte.
Ndërkaq, në audioincizim raportohet se është i përfshirë edhe asambleisti i PDK-së, Arigon Sinani. Lidhur me këtë, Hajdari tha se lënda është në gjykatë dhe se e presin vendimin.
Siç tha ai, çdo vendim të gjykatës, PDK-ja do ta zbatojë. Derisa, tutje u tha gazetarëve se Sinani, i cili edhe për këto zgjedhje lokale është kandidat për asamble, ka adresën e të tij përmes së cilës mund t’iu adresohen pyetje.
“Shtrembërimi i fakteve që po tenton ta bëjë zotri Lladrovci tek ne dhe qytetarët nuk pin ujë…Lladrovci ka qenë kryetar gjatë. Qytetarët kanë folur, nuk është se s’ka pasur dyshime. Por, derisa u vërtetua me fakte… Lidhur me personin që është pjesë e listës kandiduese, ai ka qenë asamblisti edhe në të kaluarën, lënda është në gjykatë dhe ne e presim vendimin e gjykatës. Çdo vendim që e merr gjykata, për neve dhe Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë i zbatueshëm, sepse janë obligative. Kur të flet drejtësia ne jemi këtu për t’i shtyer proceset përpara…Zotri Sinani e ka adresën mund ta pyesni atë, përgjegjësi për atë punë nuk mbaj. Kam dëgjuar sit ë gjithë ju. Opinion publik në Drenas është i tronditur. Nuk e di saktë kush ka qenë në tavolinë”, u shpreh Hajdari.
Lladrovci është arsyetuar lidhur me audioincizimin që ka dal në media, ku flitej për miliona euro, duke u ankuar se incizimi është prerë në momente të caktuar siç është tek biseda për mbindërtimin ku ai thotë se është prerë fjala sipas ligjit.
Ai ka thënë se në audioincizim vetëm u ka shpjeguar se sa mund të përfitonte investitori dhe sa komuna, por asnjëherë nuk ka folur se sa do të përfitonte ai individualisht.
“4500 metra katrorë që do të shtohej një katë më shumë mbindërtim me leje ndërtimi komfor ligjit sepse në audioincizim prehet fjalimi im se unë flas për 4 mijë metra mbindërtim dhe mungojnë fjalët tjera që është një kat mbindërtim me leje. Ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës thotë se kryetari i komunës ka të drejt pa shfrytëzuar procedurat paraprake të negociojë ofertat nga palët e interesuara dhe të paraqes propozimin final për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës dhe për miratim në Kuvendin Komunal të Komunës. Pra çdo gjë që kemi bërë bisedë ne do të binte në ujë, nëse nuk do ta dërgonim në Kuvend për miratim, kështu që qëllimi i audioincizimit nuk është sepse askund nuk vërtetohet që kemi shkel ligj, nuk vërtetohet se kemi kërkuar diçka për vete”, tha ai.
Përndryshe, një audio-incizim që ka filluar të qarkullojë që nga dita e djeshme në rrjetet sociale ka përfshirë në qendër të debatit kryetarin aktual të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në këtë incizim dëgjohet një bisedë ndërmjet Lladrovcit dhe Labinot Halilajt, asamblist dhe biznesmen në këtë komunë, ku flitet për një pronë dhe përfitime të mundshme financiare milionëshe në rast se plotësohen kushtet nga ofertuesi.
Në audio dëgjohet Lladrovci duke thënë se “me këtë pronë fiton 15 milionë euro”, ndërsa Halilaj shprehet mosbesues ndaj kësaj shume.
“Asnjë sen, kot folim na, e di unë… unë nuk i qes pronat pa e pas, pa e pas votën. 40 mijë metra ka 300 euro bëjnë 12 milionë. Po edhe 5 mijë metra, 4 mijë metra unë t’i shtoj mbindërtim, s’merr komuna aty. 19 milionë minus 9 milionë, jo minus 12 milionë, a ke 12 milionë? 7 milionë e gjysa mbesin…me 300 euro 7 milionë e gjysmë, po me 600 a të jesin 15 milionë Lab? Me i shit 20 mijë metra ka 600 euro, 600 euro e gjysmë a të mbesin 12, a të mbesin 10? 10 milionë, a të mesin 5 milionë? Unë po të them që qitu i fiton 15 milionë euro… Ani më jepni mua, unë 15 milionë euro i fitoj”, dëgjohet Lladrovci në audio incizim./kp