Haga përgatitet për Gjykatën Speciale të Kosovës
Kryeqyteti botëror i drejtësisë i ka nisur përgatitjet që t’ia bëjë vendin edhe një gjykate të re, asaj speciale për Kosovën.
Lajme
Autoritetet holandeze tashmë kanë bërë projeksione buxhetore për shpenzimet e pjesës së Gjykatës Speciale të Kosovës që do të vendoset në Hagë, pas miratimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës për gjykimin e akuzave të raportit të Dick Martyt për përfshirje të disa prej krerëve të UÇK-së në trafikim organesh, krime lufte, kontrabandë me duhan e naftë dhe krime të tjera ordinere, raporton Koha Ditore.
Raportohet se në Hagë do të vendoset pjesa e gjykimeve të lidhura me dëshmitarët e mbrojtur.
Zyrtarët holandezë thanë në kushte anonimiteti se po përgatiten ta menaxhojnë këtë rast të pazakonshëm të vendosjes së një gjykate të një shteti të pavarur në territorin e tyre, edhe pse Gjykata do të funksionojë me legjislacionin e Kosovës.
Holanda do të ndryshojë disa ligje të veta për të legjitimuar “importimin” e Gjykatës Speciale të Kosovës, shkruan Koha Ditore.