Gucati reagon pas arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së nga autoritetet serbe: Serbia është në gjah ndaj luftëtarëve tanë
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi më 25 nëntor se ka arrestuar një person me inicialet A.Q., të lindur më 1973, duke e akuzuar për organizim të grupit, nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Sipas deklaratës së MPB-së serbe, i arrestuari dyshohet se i…
Lajme
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi më 25 nëntor se ka arrestuar një person me inicialet A.Q., të lindur më 1973, duke e akuzuar për organizim të grupit, nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas deklaratës së MPB-së serbe, i arrestuari dyshohet se i ishte bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në prill të vitit 1998 dhe si pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” kishte marrë pjesë në luftime në Koshare në vitin 1999.
Ai aktualisht ndodhet në paraburgim me masë ndalimi 48-orësh, ndërsa ndaj tij pritet të dorëzohet një kallëzim penal në prokurorinë kompetente.
Lidhur me arrestimin, në FIVE në TV Dukagjini ka reaguar kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili e identifikoi të arrestuarin si Avni Qenaj nga fshati Romajë i Hasit.
Ai e shprehu shqetësimin e tij të për këtë rast dhe për ndjekjet e vazhdueshme që Serbia po u bën ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Kreu i OVL-UÇK-së ripërsëriti edhe një herë apelin e vazhdueshëm që ish-luftëtarët të mos kalojnë përmes Serbisë nën asnjë rrethanë.
“Kam dëgjuar se është arrestuar që Avni Qenaj nga fshati Romaj e Hasit. Kështu me keqardhje po them, më vjen keq që ende nuk kam të dhënë konkrete. Me sa po flitet është pjesëtar i UÇK-së. Besoj që do të jetë ashtu. Megjithëse nuk po mundemi t’i nxjerrim ë dhënat tona.
Unë besoj që po gabojnë që po i bijnë këta djem nëpër Serbi. Ne iu kemi bërë apel edhe përmes televizionit tuaj, që çdo njeri që është pjesëtar i UÇK-së të mos shkoj nëpër Serbi. Se Serbia është duke hulumtuar, është nëpër gjah që t’i ndal të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe tu ngrit aktakuza edhe pa bazë”, ka thënë Gucati.