Gucati: Nuk besoj në Kurtin, ai vetë u tha ish-krerëve të UÇK-së të shkojnë në Hagë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha sot se nuk ka arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë dhe se për këtë ai publikoi edhe një letër që i kishte dërguar…
Lajme
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha sot se nuk ka arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë dhe se për këtë ai publikoi edhe një letër që i kishte dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova e ku kishte kërkuar lirimin e tyre.
Gucati tha se nuk beson në qëndrimet e Kurtit, duke e akuzuar atë se dikur vetë u kishte thënë ish-luftëtarëve të UÇK-së të shkojnë në Hagë.Sa i përket letrës që Kurti tha se e ka dërguar në vitin 2022, ai tha se në atë kohë edhe ai ka qenë në burg por që nuk ka dëgjuat për këtë letër.
“Unë nuk du të besoj shumë në atë hiç, por dhashtë Zoti Inshallah e ka bërë atë kërkesë. Unë në vitin 2022 kam qenë edhe unë në burg, me qenë do të kishim dëgjuar, nuk kemi dëgjuar kurrë. Nuk pres nga Albin Kurti asgjë, një njeri që ju ka thënë ju jeni me shku në Hagë, shkoni në Hagë. S’dua të besoj në asgjë në të. Ky është mirë mi kry detyrat e shtëpisë me ju ndihmu mbrojtjes me pare, që e ka bërë një tavan të çmimit të tyre që i ka bllokuar edhe mjetet, kështu që s’dua të besoj në të hiq”, tha Gucati.
Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot tha se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të vazhdojnë të mbahen në paraburgim pesë vjet pas arrestimit të tyre.Në një publikim në Facebook, Kurti kujtoi se më 2022 i kishte dërguar një letër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke kërkuar lirimin e tyre, por siç theksoi ai, kërkesa nuk kishte marrë përgjigje.