Gucati: Gjykata Speciale po e zvarrit çdo proces në Hagë, ka qëllime të caktuara
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur kritika të ashpra ndaj punës së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar për zvarritje të qëllimshme të proceseve gjyqësore dhe për bashkëpunim me gjykatat serbe. Sipas Gucatit, proceset po zhvillohen në mënyrë të njëanshme vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërkohë që…

Lajme
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur kritika të ashpra ndaj punës së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar për zvarritje të qëllimshme të proceseve gjyqësore dhe për bashkëpunim me gjykatat serbe.
Sipas Gucatit, proceset po zhvillohen në mënyrë të njëanshme vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërkohë që drejtësia nuk po zbatohet për të gjithë.
“Me të gjithë falsifikimin që është duke u bërë me gjykatë, është duke punuar dhe bashkëpunuar me gjykatat serbe. E dimë se çka mendojnë gjykatat serbe për neve. Ata mendojnë të keqen gjithmonë. Ne kemi protestuar se pse kjo gjykatë është e një etnie, vetëm për shqiptarët dhe për pjesëtarët e UÇK-së dhe nuk është bërë Gjykatë Speciale për të gjithë ata që kanë luftuar në Kosovë: shqiptarë, serbë, romë, turq apo kushdo që kanë qenë të involvuar në Kosovë. Drejtësia nuk njeh etni, por gjykata bëhet për të gjithë qytetarët e vendit nëse kanë bërë gabime apo shkelje”, tha ai.
Gucati akuzoi Gjykatën Speciale se po e zvarrit me qëllim çdo proces gjyqësor.
“Jemi dëshmitarë duke parë këtë Gjykatë se çka është duke bërë dhe duke vepruar. Besoj që dëshmitarët e mbrojtjes do të jenë 12 në rastin e presidentit dhe shtatë dëshmitarë te Jakup Krasniqi. Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk kanë marrë dëshmitarë. Kjo gjykatë me qëllim po e zvarrit çdo proces. Është duke e bërë me qëllime të caktuara. Tash a e bën me qëllim të parasë, sepse i kanë pagat e majme apo duke e bërë me qëllime të caktuara për të na shkaktuar neve dëm, te qytetarët të shkaktojë një pakënaqësi të madhe apo dëshiron ta barazojë luftën e lavdishme të UÇK-së me luftën serbe me çetnikët serbë”, tha Gucati për EO.