Gucati e Syla priten në takim nga eurodeputeti Mandl në Strasburg – I paraqesin shqetësimet lidhur me Specialen
Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe Gazmend Syla, janë pritur sot në takim nga eurodeputeti Lukas Mandl në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg. Në njoftimin e OVL-UÇK-së, thuhet se Gucati e Syla, kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale. Po ashtu, bëhet e ditur edhe se, Gucati e…

Lajme
Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe Gazmend Syla, janë pritur sot në takim nga eurodeputeti Lukas Mandl në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg. Në njoftimin e OVL-UÇK-së, thuhet se Gucati e Syla, kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.
Po ashtu, bëhet e ditur edhe se, Gucati e Syla, i kanë kërkuar eurodeputetit që mesazhin e tyre ta përcjellë tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe në institucionet përkatëse të shtetit të tij.
‘‘Ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë’’, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Sot, në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg, zhvilluam një takim me rëndësi të veçantë me eurodeputetin z. Lukas Mandl, një zë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës.
Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, paraqitën me seriozitet shqetësimet tona lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës sonë çlirimtare dhe të vlerave mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës.
Z. Mandl i dëgjoi me vëmendje dhe mirëkuptim qëndrimet tona, për çka e falënderojmë sinqerisht. E lutem qe ta përcjellë këtë mesazh tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe në institucionet përkatëse të shtetit të tij, duke i dhënë kështu zë dhe mbështetje kauzës sonë të drejtë.
Ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.