Guardiola i jep fund spekulimeve për të ardhmen e tij

Pep Guardiola thotë se ai do të “dëshironte të qëndronte më gjatë” në Manchester City por ende nuk ka folur me klubin për një zgjatje të kontratës.

Sport

20/09/2020 17:40

Katalunasi po fillon sezonin e tij të pestë në ‘Etihad’, që është periudhë më e gjatë sesa te ekipet e tjera që ka drejtuar, te Barcelona dhe Bayern Munich.

Marrëveshja e tij aktuale skadon në fund të sezonit, por para se të shqyrtojë një kontratë të re, Guardiola thotë se ai së pari duhet të kthejë skuadrën e tij duke konkurruar për trofe pas zhgënjimeve të sezonit të kaluar në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve.

“Do të doja të qëndroja më gjatë këtu. Është një vend që unë dua të jem, por unë duhet ta meritoj [të qëndroj]”, tha ai në një konferencë shtypi.

“Ky klub arriti standarde [të larta] në dekadën e fundit, por ne duhet ta mbajmë atë dhe unë duhet ta meritoj atë. Unë do të shoh nëse e meritoj këtë sezon në lidhje me mënyrën se si klubi shkon përpara dhe përmirësohet”. /Lajmi.net/