Gruda paralajmëron VV-në: Shkeljet kushtetuese PDK-ja do t’i trajtojë pas 16 shtatorit – sot kemi ardhur për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se pjesëmarrja e PDK-së në seancën konstituive nuk nënkupton heqje dorë nga kundërshtimet që kjo parti ka ngritur gjatë muajve të fundit. Sipas Grudës, PDK-ja ka vendosur të jetë e pranishme në Kuvend për shkak të një date që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë për Kosovën – 16 shtatorin, kur pritet vendimi…
Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se pjesëmarrja e PDK-së në seancën konstituive nuk nënkupton heqje dorë nga kundërshtimet që kjo parti ka ngritur gjatë muajve të fundit.
Sipas Grudës, PDK-ja ka vendosur të jetë e pranishme në Kuvend për shkak të një date që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë për Kosovën – 16 shtatorin, kur pritet vendimi në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, transmeton lajmi.net.
“Ne kemi ardhur sot për shkak se Kosova është para një vendimi historik në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Për hir të kësaj date, ne nuk kemi dashur të mbivendosim konfliktin politik apo dilemat kushtetuese dhe kemi ardhur sot këtu”, tha Gruda.
Ai ka paralajmëruar se pas kësaj date, PDK-ja do t’u rikthehet çështjeve që i konsideron shkelje kushtetuese dhe procedurale.
Gruda ka theksuar se prania e deputetëve të PDK-së në seancën e sotme nuk duhet të interpretohet si pajtim me mënyrën se si është zhvilluar procesi gjatë muajve të fundit.
“Por për ne nuk mund të kalojë krejt çka ka ndodhur këta muaj. Këto shkelje kushtetuese dhe të rregullores do t’i trajtojmë politikisht dhe në rrugë të tjera institucionale pas datës 16 shtator”, u shpreh Gruda.
Deklaratat e tij tregojnë se PDK-ja, edhe pse ka zgjedhur të marrë pjesë në seancën konstituive, synon që debatet dhe kundërshtimet e saj për procedurat e ndjekura deri më tani t’i hapë sërish pas 16 shtatorit.
Kjo datë pritet të jetë e rëndësishme edhe për zhvillimet politike në Kosovë, për shkak të vendimit të pritshëm në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së./lajmi.net/