Gripi ua merr jetën 58 personave në Greqi
“Është tragjike që për vaksinën që kushton vetëm 6 euro, të humbasin jetë njerëzore”, thekson Shoqata e Mjekëve të Athinës.

Bota
Gripi stinor ka shkaktuar mbi 58 viktima në shtetin helen, ndërsa autoritetet janë në alarm se situata mund të përkeqësohet.
“Është tragjike që për vaksinën që kushton vetëm 6 euro, të humbasin jetë njerëzore”, thekson Shoqata e Mjekëve të Athinës.
Sipas ISA, 40% e popullsisë që i përket grupit me rrezikshmëri të lartë, nuk arriti të vaksinohet për gripin stinor, pasi mjaft farmacistë deklaruan se sasitë e vaksinave që mbërritën në farmacitë e tyre ishin shumë më të vogla, nga sa ata kishin porositur dhe në të njëjtën kohë nuk u dërguan vaksina në njësitë e kujdesit parësor shëndetësor.
Shoqata e Mjekëve e cilëson si kriminale mungesën e politikës vaksinuese në Greqi, por edhe deklaratave të joekspertëve, të cilët vitet e mëparshme e terrorizuan popullsinë, me hipoteza të pabazuara shkencërisht mbi komplikimet e mundshme nga vaksinimi, gjë që i la mijëra qytetarë të ekspozuar në pandeminë e gripit.
Autoritetet shëndetësore thonë se fluksi në qendrat shëndetësore, është i madh dhe virusi H1N1 po përhapet me shpejtësi të madhe.
(Kosovapress)