Greva në shëndetësi: Në IKSHPK nuk bëhen as teste

Punëtorët shëndetësorë përsëri këtë të enjte u futën në grevë tetë orëshe.

Lajme

02/12/2021 22:18

Kjo u bë me një vendim të përbashkët nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, për shkak se mantelbardhët po duan që ligji i pagave sa më parë të shkoj në Kuvend.

E, meqë sipas FSSHK-së të gjitha nivelet shëndetësore i janë përgjigjur pezullimit të punës, edhe punonjësit e IKSHPK-së e bënë një gjë të tillë.

Tek tenda e testimit për COVID-19 pranë Institutit nuk u mor as edhe një mostër e vetme për testim, sikurse që u injoruan edhe analizat tjera.

E, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet, pacientët vijnë e shkojnë pa marr ndonjë shërbim, përveç ekipeve të urgjencës të cilat ofrojnë shërbime për kategori të caktuara në terren.

Ndaj ka edhe pacientë të atillë që shprehen të revoltuar ndaj grevës.

Ndërkaq, sindikalistët e shëndetësisë thonë se të hënën e ardhshme do të vendoset nëse do të ashpërsohet greva, apo jo.