Greiçevci: Asnjë shtetas i Kosovës nuk ka pësuar nga sulmi në Manchester
Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka bërë të ditur se asnjë shtetas i Kosovës nuk është i vdekur apo i lënduar nga sulmi në Manchester.
Lajme
Ai ka bërë të ditur se Ambasada e Kosovës gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt me autoritetet e Britanisë.
“Ju njoftojmë se pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në Mançester, Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet britanike për të kuptuar nëse ndonjë shtetas i Kosovës është prekur në këtë sulm. Ambasada gjithashtu ka kontaktuar me komunitetin tonë në Mançester, me përfaqësues shoqatash, aktivistë dhe familje kosovare. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka asnjë informacion për ndonjë të lënduar ose të vdekur, shtetas të Kosovës, në këtë sulm terrorist”, ka shkruar Greiçevci në facebook.
Ambasada gjithashtu ka dislokuar edhe një diplomat i cili do të qëndrojë në Manchester deri të konfirmimet vendimtare për viktimat dhe të lënduarit.
“Për të qenë në kontakt të vazhdueshëm në terren me autoritetet lokale në Mançester si dhe me komunitetin tonë atje, Ambasada ka dislokuar diplomatin Imer Berisha, i cili do të qëndrojë në Mançester deri të kemi konfirmimet përfundimtare lidhur me viktimat dhe të lënduarit. Imeri mund të kontaktohet në këtë numër telefoni: +447375725450. Ndërsa numri emergjent 24 orësh mbetet ai i njëjti i shpallur mbrëmë: +447961064763. Ju faleminderit për vëmendjen dhe bashkëpunimin”, thuhet në postimin e ambasadorit të Kosovës në Londër në facebook.
Rreth 22 persona u vranë, kurse mbi 50 u lënduan nga një sulm terrorist dje në qytetin e Manchesterit. /Lajmi.net/