Gratë, tregu i punës dhe varfëria: Banka Botërore ngre alarmin për pabarazitë gjinore në Kosovë

Pabarazitë gjinore dhe pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës mbeten sfida madhore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në Kosovë, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, “Përshtatja për Rritje të Qëndrueshme”. Raporti vëren se, “pavarësisht një prirjeje në rënie, varfëria mbetet e lartë dhe karakterizohet nga dallime të…

Lajme

04/05/2025 15:16

Pabarazitë gjinore dhe pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës mbeten sfida madhore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në Kosovë, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, “Përshtatja për Rritje të Qëndrueshme”.

Raporti vëren se, “pavarësisht një prirjeje në rënie, varfëria mbetet e lartë dhe karakterizohet nga dallime të mëdha rajonale. Varfëria është më e përhapur te personat me arsim të ulët dhe familjet me fëmijë, ndaj përshpejtimi i akumulimit të kapitalit njerëzor mbetet një përparësi”.

Përparimi në barazinë gjinore, veçanërisht në tregun e punës, ka qenë i kufizuar. “Pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore dhe punësimi, veçanërisht te gratë, mbeten pengesa kryesore për reduktimin e varfërisë”, thuhet më tej.

Banka Botërore raporton se shkalla e punësimit në Kosovë është nën 37 për qind, një tregues i problemeve strukturore në ekonomi.

“Kjo situatë reflekton probleme strukturore të thella, përfshirë pjesëmarrjen e ulët në tregun e punës, mospërputhjen e aftësive me kërkesat e tregut dhe pabarazitë gjinore”.

Raporti nënvizon nevojën për politika të fuqishme që nxisin përfshirjen e grave dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor si rrugë për të zbutur varfërinë dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme.