Graçanica, shembull i integrimit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vizitoi të martën komunën e Graçanicës, ku fillimisht u taku me kryetarin e kësaj komune,  Branimir Stojanoviq.

Lajme

12/08/2014 17:18

Presidentja Jahjaga dhe kryetari i komunës Stojanoviq, biseduan për të arriturat, aktivitetet, sfidat dhe nevojat e komunës ne përmirësimin e jetës së qytetarëve në Graçanicë.

Ajo tha se në Kosovë të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie, duhet të ndihen të sigurt dhe të lirë.

“Kjo vizitë është në kuadër të përpjekjeve tona institucionale që të përkrahim projektet dhe iniciativat e ndryshme në kuadër të nivelit të komunës të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve”.

“Graçanica është njëra prej komunave të reja e cila është themeluar përmes procesit të decentralizimit dhe është një shembull i mirë, një shembull i suksesit sa i përket integrimit të qytetarëve në jetën institucionale dhe shoqërore. Po ashtu, është një shembull i mirë sa i përket ndihmës dhe shërbimeve ndaj gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë komunë”, tha Jahjaga.

“Me kryetarin patëm mundësi të bisedojmë për të gjitha problemet dhe vështirësitë që ballafaqohet kjo komunë, por patjetër edhe për sukseset që janë arritur përbrenda kësaj komune”.

“Biseduam edhe për të gjitha ato projekte konkrete, e që një prej tyre është edhe kjo qendër shëndetësore e cila ka nevojë për përkrahje të mëtutjeshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të jap shërbimet më kualitative për qytetarët që jetojnë në këtë komunë”.

“Të gjithë ne dëshirojmë që të kemi një Kosovë të zhvilluar, një Kosovë prosperuese, një Kosovë që është e orientuar drejt zhvillimit ekonomik, që është e orientuar drejt përmirësimit të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të saj dhe një shtet i cili është i orientuar drejt proceseve integruese, e veçanërisht drejt integrimeve euroatlantike”.

“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare dhe të gjithë qytetarët kanë obligime dhe detyra të barabarta ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet e vendit”.

“Ne duam që komuniteti serb në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës të ndihet i lirë dhe i sigurt dhe të jetë pjesë kontribuuese i të gjitha proceseve avancuese për shtetin tonë, sepse Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Jahjaga.

Ndërkaq, kryetari i Graçanicës duke e mirëpritur vizitën e Presidentes e vlerësoi lartë rolin e saj si faktor të stabilitetit dhe të garantimit të barazisë ndërmjet të gjitha komuniteteve.

Stojanoviq e njoftoi Presidenten Jahjaga me projektet zhvillimore të komunës dhe për nevojat qe Graçanica ka në fusha të ndryshme.

Ai tha se mbështetja në shëndetësi, bujqësi dhe infrastrukturë është shumë e nevojshme për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve. Kryetari i Graçanicës tha se zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbeten sfidat më të mëdha për komunën.

Gjatë vizitës në Graçanicë Presidentja vizitoi qendrën diagnostikuese, Manastirin e Graçanicës, një qendër sportive dhe qendrën shëndetësore në ndërtim.