Grabovci: Nuk do të jenë 70 zëvendësministra
Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se javën e ardhshme do të funksionalizohet Qeveria e Kosovës me emërimin edhe të zëvendësministrave nga PDK, LDK dhe minoritetet.

Lajme
Grabovci ka thënë për Express se nuk do të jenë as 100, as 70, por më pak zëvendësministra që do të emërohen në kabinetin e ri qeveritar.
“Ende nuk është diskutuar në Kryesi të Partisë për emërimin e zëvendësministrave”, ka thënë ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka treguar se PDK, LDK dhe minoritetet do të diskutojnë gjatë ditëve në vazhdim për funksionalizimin e plotë të Qeverisë.
“Ende nuk është diskutuar për numër të saktë. Por, nuk do të jenë 70 zëvendësministra. Javën e ardhshme do të kompletohet Qeveria edhe me emërimet e zëvendësministrave. Nuk mund të shtyhet më shumë se edhe javën e ardhshme”, ka thënë Grabovci për Express.
Qeveria e re e udhëhequr nga Isa Mustafa është votuar më 9 dhjetor. Ajo është qeveria më e madhe që nga pas lufta, pasi që ka 21 ministri dhe 3 zëvendsëkryeministra.